Tensione te Reali, edhe stafi kundër Mbappe-së: Udhëtimi në Itali nuk u prit mirë
Situata mes Kylian Mbappe-së dhe stafit teknik të Real Madridit vazhdon të mbetet e tensionuar. Sipas raportimeve të “The Athletic”, jo vetëm trajneri Alvaro Arbeloa, por edhe pjesëtarë të stafit të klubit madrilen kanë mbetur të pakënaqur me sjelljen e sulmuesit francez në ditët e fundit.
Gjithçka nisi pas fitores 2-0 ndaj Real Oviedo, ku Mbappe nuk ishte titullar dhe u aktivizua vetëm në minutën e 69-të. Pas ndeshjes, francezi deklaroi para gazetarëve se ishte “100 për qind gati” për të luajtur nga minuta e parë dhe se Arbeloa i kishte thënë se tashmë konsiderohej zgjedhja e katërt në sulm, pas Franco Mastantuono-s, Vinicius Junior dhe Gonzalo Garcias.
Megjithatë, Arbeloa e mohoi menjëherë këtë version, duke deklaruar se lojtari e kishte keqkuptuar dhe se ai nuk e kishte ulur kurrë Mbappen në rolin e sulmuesit të katërt. Trajneri spanjoll shpjegoi se vendimi ishte marrë për arsye fizike, pasi sulmuesi nuk kishte qenë në gjendje as të ulej në stol vetëm katër ditë më parë.
Sipas raportimeve, tensioni është shtuar edhe për shkak të mënyrës se si Mbappe menaxhoi rikuperimin nga dëmtimi në bicepsin femoral. Në klub nuk është pritur mirë fakti që lojtari udhëtoi drejt Italisë me partneren e tij gjatë periudhës së rikuperimit.
Madje, mediet raportojnë se para transfertës ndaj Oviedos ka pasur një përballje me tone të ashpra mes Arbeloas dhe Mbappe-së, ku trajneri i ka shprehur hapur pakënaqësinë për sjelljen e fundit të ‘yllit’ francez.
Kjo situatë vetëm sa shton problemet në dhomat e zhveshjes së Realit, në një sezon të vështirë për madrilenët, të cilët kanë dështuar të fitojnë trofe madhorë në dy vitet e fundit.