Vizita në Pekin/ Bisedimet cilësohen 'shumë të suksesshme', Trump fton Xi në Shtëpinë e Bardhë në shtator
BBC - Nga Suranjana Tewari
Presidenti amerikan Donald Trump u largua nga Pekini pas një samiti dyditor duke deklaruar se kishte arritur “marrëveshje fantastike tregtare, të mira për të dy vendet”, megjithëse deri tani pak detaje janë bërë publike mbi atë që dy superfuqitë ranë dakord.
Trump mbërriti të mërkurën (13 maj) në një samit me rëndësi të lartë me liderin kinez Xi Jinping, i shoqëruar nga disa drejtues të mëdhenj kompanish, mes tyre përfaqësues nga sektorët e bujqësisë, aviacionit, automjeteve elektrike dhe çipave të inteligjencës artificiale (AI).
Tregtia ishte në krye të axhendës, pavarësisht tensioneve të fundit për luftën me Iranin, ndërsa bizneset shpresonin në marrëveshje të rëndësishme si dhe në zgjatjen e armëpushimit tarifor që skadon në nëntor.
Vizita u karakterizua nga retorikë e ngrohtë dhe simbolikë diplomatike. Trump u prit me ceremoni të shumta, përfshirë gardën e nderit, një banket shtetëror dhe një ftesë në kompleksin ekskluziv ku jetojnë dhe punojnë liderët e Partisë Komuniste kineze.
Presidenti amerikan u shfaq i impresionuar dhe ftoi Xi Jinping në Shtëpinë e Bardhë në shtator. Trump tha se bisedimet kishin qenë “shumë të suksesshme”, ndërsa Xi e cilësoi vizitën si “historike dhe me rëndësi të veçantë”.
Megjithatë, asnjëra palë nuk ka njoftuar për ndonjë marrëveshje të madhe tregtare apo biznesi.
Trump deklaroi para gazetarëve në bordin e Air Force One se Kina kishte rënë dakord të blejë 200 avionë Boeing, me mundësi për edhe 750 avionë të tjerë. BBC ka kontaktuar kompaninë Boeing për koment.
Ai shtoi gjithashtu se fermerët amerikanë do të përfitonin nga marrëveshjet tregtare, pasi Kina do të blejë “miliarda dollarë” sojë amerikane. Nga pala kineze nuk ka ende konfirmim për këto marrëveshje apo blerje.
Nëse porositë për Boeing finalizohen, kjo do të ishte marrëveshja e parë e madhe kineze për prodhuesin amerikan të avionëve pas afro një dekade, pasi kompania ishte lënë jashtë tregut të dytë më të madh të aviacionit në botë për shkak të tensioneve tregtare mes Pekinit dhe Uashingtonit.
I pyetur mbi deklaratat e Trump për marrëveshjet, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Guo Jiakun, tha vetëm se “thelbi i marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare Kinë-SHBA është përfitimi reciprok dhe bashkëpunimi fitues për të dyja palët”.
Ai shtoi se të dy vendet duhet të zbatojnë “konsensusin e rëndësishëm” të arritur nga dy liderët dhe të sjellin më shumë stabilitet në marrëdhëniet tregtare dypalëshe dhe ekonominë globale.
Ende mbeten pikëpyetje mbi armëpushimin tarifor të arritur në tetor, kur Uashingtoni pezulloi rritjet e mëdha të tarifave ndaj mallrave kineze, ndërsa Pekini zbuti kufizimet për eksportet e metaleve të rralla, të rëndësishme për industrinë.
Ndërkohë surprizuese ishte fakti që Trump u tha gazetarëve në Air Force One se ai dhe Xi “nuk diskutuan fare për tarifat”.
Megjithatë, Shtëpia e Bardhë deklaroi se të dy liderët ranë dakord për krijimin e një “Bordi Tregtar” për të menaxhuar marrëdhëniet ekonomike pa qenë nevoja për rihapjen e negociatave tarifore.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha në një intervistë për CNBC se pret progres për një mekanizëm që do të mbështesë investimet e ardhshme.
Megjithatë, zyrtarët amerikanë paralajmëruan se ka ende shumë punë përpara se këto njoftime të hyjnë në fuqi.
Teknologjia dhe Tregtia
Një nga momentet më të vëzhguara ishte mbërritja e Air Force One në Pekin të mërkurën në mbrëmje.
Drejtori ekzekutiv i Tesla, Elon Musk, zbriti nga avioni përpara zyrtarëve të lartë amerikanë, si Pete Hegseth, Marco Rubio dhe Jamieson Greer, duke sinjalizuar rëndësinë e axhendës ekonomike.
Musk dhe drejtori i NVIDIA, Jensen Huang, qëndruan pranë Trump gjatë ceremonisë së mirëseardhjes dhe ishin figura qendrore në banket.
Pjesëmarrja e Huang u konsiderua domethënëse, pasi ai nuk ishte planifikuar fillimisht të ishte pjesë e delegacionit. Përfshirja e tij nxiti spekulime se inteligjenca artificiale dhe qasja në çipa kishin rol më të madh në bisedime sesa mendohej më parë.
Me automjetet elektrike, AI dhe gjysmëpërçuesit që janë kthyer në fusha kyçe të rivalitetit SHBA-Kinë, si Tesla ashtu edhe Nvidia janë shumë të ekspozuara ndaj tregut kinez.
Tesla mbështetet fuqishëm tek fabrika e saj në Shangai dhe konsumatorët kinezë, ndërsa Nvidia dëshiron të rifillojë shitjen e çipave të avancuar në Kinë, gjë që aktualisht ndalohet nga kontrollet amerikane të eksporteve.
Këto kontrolle synojnë të kufizojnë aksesin e Kinës në teknologjitë më të avancuara të AI, megjithëse Greer tha se ato nuk ishin një temë kryesore e samitit.
Nga ana tjetër, Pekini vazhdon të kërkojë më shumë akses në teknologjinë e avancuar, duke kritikuar përpjekjet që sipas tij synojnë të frenojnë zhvillimin industrial të Kinës.
AI pritej të ishte pjesë e rëndësishme e bisedimeve. “Diskutuam mundësinë për të punuar së bashku mbi disa rregulla sigurie”, tha Trump. I pyetur se çfarë lloj rregullash, ai u përgjigj: “Rregulla standarde për të cilat flasim gjatë gjithë kohës”.
Shitjet drejt Kinës
Lufta tarifore e vitit të kaluar goditi edhe fermerët amerikanë, të cilët kërkojnë të eksportojnë më shumë sojë, mish viçi dhe shpendë drejt Kinës.
Sipas përfaqësuesit amerikan të tregtisë, Jamieson Greer, marrëveshjet për blerjet kineze të produkteve bujqësore amerikane janë konkretizuar. Por Ministria e Jashtme kineze nuk konfirmoi marrëveshje të reja, duke deklaruar vetëm se të dy palët kishin rënë dakord të ruanin marrëdhënie të qëndrueshme tregtare dhe të zgjeronin bashkëpunimin mbi bazën e “barazisë, respektit reciprok dhe përfitimit të ndërsjellë”.
Shtëpia e Bardhë tha gjithashtu se bisedimet prekën zgjerimin e aksesit të kompanive amerikane në tregun kinez dhe rritjen e investimeve kineze në industritë amerikane.
Ndërsa Kina mbetet një treg i madh për kompanitë amerikane, ajo konsiderohet gjithashtu një mjedis i vështirë për shkak të rregulloreve, burokracisë dhe pasigurive gjeopolitike.
Megjithatë, Pekini dha sinjale pozitive. Xi Jinping u tha drejtuesve amerikanë të biznesit se “dyert e Kinës do të hapen edhe më shumë” dhe se kompanitë amerikane do të kenë “perspektiva më të gjera” në tregun kinez.
Ai bëri thirrje për zgjerim të bashkëpunimit në tregti, bujqësi, shëndetësi, turizëm dhe zbatim të ligjit, duke i përshkruar marrëdhëniet dypalëshe si “me përfitim reciprok” dhe që sjellin “fitore për të dyja palët”.
Vijat e kuqe: Tajvani
Tajvani, aleat i SHBA-së dhe ishull vetëqeverisës që Pekini e konsideron pjesë të territorit të vet, është trajtuar gjatë vitit të fundit si një nga disa pikat e tensionit mes SHBA-së dhe Kinës gjatë bisedimeve tregtare.
Por këtë herë, Pekini e lidhi çështjen e Tajvanit me marrëdhëniet më të gjera ekonomike me SHBA-në.
Sipas deklaratës kineze, Xi tha se të dy vendet kishin rënë dakord për një “pozicionim të ri” të marrëdhënieve, bazuar në “stabilitet strategjik konstruktiv”, por paralajmëroi se Tajvani mbetet çështja më sensitive.
“Çështja e Tajvanit është problemi më i rëndësishëm në marrëdhëniet Kinë-SHBA”, paralajmëroi Xi gjatë bisedimeve.
“Nëse menaxhohet gabim, dy vendet mund të përplasen apo edhe të hyjnë në konflikt”, tha ai.
Ndërkohë, Tajvani po ndjek me vëmendje zhvillimet, megjithëse mbetet e paqartë nëse dhe si kjo do të ndikojë në bashkëpunimin amerikan me kompanitë e gjysmëpërçuesve në ishull apo në marrëdhëniet tradicionale të ngushta me Taipein.
Lufta me Iranin dhe Ngushtica e Hormuzit
Lufta kundër Iranit dhe bllokada e Ngushticës së Hormuzit ishte një tjetër pjesë kyçe e axhendës. Trump hyri në bisedime duke shpresuar për bashkëpunim kinez lidhur me konfliktin dhe tregun e naftës.
Trump deklaroi se Kina mund të përdorë ndikimin e saj për të nxitur Iranin të stabilizojë lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, një arterie jetike për energjinë globale.
“Xi do të donte ta shihte Ngushticën e Hormuzit të hapur dhe tha: ‘Nëse mund të ndihmoj në çfarëdo mënyre, do të doja ta bëja’”, tha Trump për Fox News.
Ministria e Jashtme kineze u shpreh më e rezervuar, duke bërë thirrje për “një armëpushim gjithëpërfshirës dhe afatgjatë”.
“Aksi detar duhet të rihapet sa më shpejt të jetë e mundur në përgjigje të thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar”, shtoi ajo.
Sipas deklaratave kineze, Lindja e Mesme u diskutua gjatë takimeve, por detajet mbetën të kufizuara.
Konflikti përbën sfidë edhe për ekonominë kineze. Paqëndrueshmëria e çmimeve të naftës dhe ndërprerjet e vazhdueshme të rrugëve të furnizimit kanë rritur kostot e importeve për Kinën dhe çmimet në mbarë botën.
Trump tashmë e ka ftuar Xi Jinping në Shtëpinë e Bardhë në shtator për një samit të dytë.
Bisedimet mes dy palëve pritet të vazhdojnë deri atëherë, me shpresën që dy ekonomitë më të mëdha të botës të arrijnë një marrëveshje të madhe tregtare, e cila këtë herë mbeti ende e paarritur.