Mbrojtësi holandez tregon peripecitë: E humba Botërorin, por shpresoj...

Mbrojtësi holandez i Manchester United, Matthijs de Ligt, ka reaguar më në fund pas një periudhe të gjatë mungese, duke zbuluar se është detyruar t’i nënshtrohet një operacioni për shkak të dëmtimit në shpinë.

Qendërmbrojtësi 26-vjeçar nuk luan që prej fundit të nëntorit 2025, ndërsa fillimisht pritej të rikthehej më shpejt në fushë. Megjithatë, rehabilitimi i gjatë në qendrën stërvitore të Carringtonit nuk dha rezultatet e dëshiruara dhe situata e tij u bë objekt i shumë spekulimeve në medie dhe rrjete sociale.

Pas muajsh heshtje, De Ligt ka vendosur të sqarojë gjendjen e tij përmes një postimi në “Instagram”, duke qetësuar tifozët e United dhe të Holandës.

“Pas gjashtë muajsh trajtim dhe shumë pune për t’u rikuperuar, operacioni ishte e vetmja zgjidhje që mbeti. Më vjen keq që nuk kam mundur ta ndihmoj skuadrën gjatë muajve të fundit dhe sigurisht që kam humbur Botërorin”, shkroi De Ligt.

Mbrojtësi holandez tregoi gjithashtu optimizëm për rikthimin e tij në fushë dhe premtoi se do të bëjë gjithçka për të qenë sërish në formën më të mirë.

“Mezi pres të bëj maksimumin për t’u rikthyer të luaj para tifozëve dhe për t’u ndier përsëri në nivelin tim më të mirë”, përfundoi ai.

De Ligt kishte nisur shumë mirë sezonin me fanellën e ‘Djajve të Kuq’, por dëmtimi i rëndë i shpinës e ndaloi në momentin më të mirë të formës së tij.