Përplasje e hapur mes Mbappe-së dhe Arbeloas, francezi: Më tha se jam sulmuesi i katërt
‘Ylli’ francez, Kylian Mbappe, ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj trajnerit të Real Madridit, Alvaro Arbeloa, pas fitores 2-0 ndaj Real Oviedos në LaLiga.
Golat e Gonzalo Garcias dhe Jude Bellingham u dhanë tri pikë madrilenëve, ndërsa Mbappe qëndroi në stol gjatë pjesës së parë, pavarësisht se ishte në gjendje të mirë fizike.
Kur u aktivizua në fushë, sulmuesi francez u prit me fishkëllima nga tifozët, të cilët shprehën pakënaqësinë për situatën e skuadrës. Pas ndeshjes, Mbappe deklaroi se nuk ishte i shqetësuar nga reagimi i publikut, duke theksuar se kritikat janë normale kur rezultatet nuk janë në nivelin e pritshëm.
“Nuk vdes askush sonte. Është normale, kur nuk fiton, tifozët kritikojnë. Kjo ndodh në çdo klub”, deklaroi francezi.
Megjithatë, ai zbuloi edhe një bisedë me Arbeloan, e cila ka shkaktuar shumë diskutime në mediet spanjolle.
“Isha gati të luaja nga minuta e parë, por Arbeloa më tha se tani jam sulmuesi i katërt. Është në rregull, duhet të pranojmë vendimet e trajnerit. Do të punoj edhe më fort”, u shpreh Mbappe.
Nga ana tjetër, Arbeloa reagoi menjëherë duke mohuar kategorikisht deklaratat e lojtarit.
“Nuk ka ndodhur kurrë që t’i kem thënë Mbappe-së se është sulmuesi ynë i katërt. Ndoshta më ka keqkuptuar. Sa kohë që jam unë në këtë stol, unë vendos kush luan dhe kush jo. Nuk më interesojnë emrat”, deklaroi trajneri i Realit.
Sipas raportimeve, tensionet në dhomat e zhveshjes së klubit madrilen janë shtuar pas dështimit të skuadrës për të fituar trofe të rëndësishëm në dy sezonet e fundit. Ndërkohë, vazhdojnë spekulimet se Jose Mourinho mund të rikthehet te Reali sezonin e ardhshëm për të rikthyer klubin te trofetë dhe sukseset.