Takim vendimtar mes Contes dhe De Laurentiis-it, Napoli vendos të ardhmen e trajnerit
E ardhmja e Antonio Contes te Napoli do të vendoset javën e ardhshme, në një takim shumë të rëndësishëm me presidentin Aurelio De Laurentiis. Mediet italiane raportojnë se bëhet fjalë për një “brenda ose jashtë”, ku do të diskutohet projekti i ri i klubit për sezonet e ardhshme.
Pavarësisht marrëdhënies së mirë mes palëve dhe vlerësimit të madh që presidenti ka për trajnerin që i solli Napolit titullin kampion dhe Superkupën e Italisë, De Laurentiis pritet të vendosë disa kushte të qarta për vazhdimësinë e Contes.
Plani i presidentit parashikon rinovimin e skuadrës dhe uljen e kostove financiare. Aktualisht, Napoli ka moshën mesatare më të lartë në Serie A, me 28 vjeç, ndërsa fondi i pagave arrin në 110 milionë euro, i treti më i larti në kampionat.
Sipas raportimeve, De Laurentiis do t’i kërkojë Contes të ndryshojë disi mënyrën e punës, duke qenë më shumë trajner sesa “menaxher”. Presidenti dëshiron që tekniku italian të fokusohet më tepër te zhvillimi i lojtarëve të rinj, ashtu siç ndodhi me Vergara-n dhe Alisson Santos-in.
Një tjetër temë e rëndësishme do të jetë edhe merkatoja. Në klub ekziston pakënaqësi për disa nga afrimet e verës së kaluar. Sam Beukema, i blerë për 31 milionë euro, përfundoi 21 herë në stol në 46 ndeshje. Noa Lang, i ardhur për 25 milionë euro, nisi 23 ndeshje si zëvendësues përpara se të transferohej te Galatasaray në janar. Edhe Lorenzo Lucca, që ka kushtuar 35 milionë euro, qëndroi shpesh në stol dhe më pas u huazua te Nottingham Forest.
Megjithatë, Conte ka ende një vit kontratë me Napolin dhe De Laurentiis nuk duket i prirur për një ndarje të menjëhershme. Nga ana tjetër, opsionet për trajnerin italian nuk duken të shumta për momentin. Kombëtarja italiane nuk e tërheq aktualisht, ndërsa stoli i Real Madridit pritet t’i besohet Jose Mourinho-s, ai i Manchester City-t mund të shkojë drejt Enzo Maresca-s nëse largohet Pep Guardiola, ndërsa Chelsea shihet si destinacion i mundshëm për Xabi Alonson.