Pas sherrit me Tchouamenin, Valverde surprizon Realin me rikthimin e parakohshëm në stërvitje
Mesfushori i Real Madridit, Federico Valverde, është rikthyer në stërvitje më herët sesa pritej, vetëm pak ditë pas incidentit të bujshëm me shokun e skuadrës Aurélien Tchouaméni.
Ngjarja kishte shkaktuar shumë diskutime në mediet spanjolle, me raportime që flisnin për një përplasje fizike mes dy lojtarëve. Megjithatë, Valverde ka mohuar kategorikisht se ka pasur shkëmbim grushtash mes tij dhe francezit.
Pavarësisht kësaj, klubi madrilen vendosi të reagojë menjëherë, duke i gjobitur të dy futbollistët me nga 500 mijë euro pas një procesi të brendshëm disiplinor.
Sipas raportimeve, gjatë incidentit Valverde kishte pësuar edhe një dëmtim në kokë dhe kishte marrë qepje.
Mjekët i kishin rekomanduar pushim për 10 deri në 15 ditë, por uruguaiani ka habitur stafin teknik duke u rikthyer më shpejt në fushë.
Tashmë ekziston mundësia që ai të jetë i gatshëm për sfidën e ardhshme ndaj Sevillas, ndërsa rikthimi i tij shihet si një sinjal pozitiv për stabilitetin brenda skuadrës.
Megjithatë, tensionet në ambientin e Realit duket se nuk janë shuar plotësisht.
Sipas raportimeve, disa lojtarë kanë kërkuar largimin e Valverdes gjatë verës, ndërsa interes për mesfushorin kanë shfaqur edhe Paris Saint-Germain dhe Manchester United.
Pavarësisht zërave të merkatos, Valverde nuk ka dhënë asnjë sinjal se dëshiron të largohet nga Reali.