Udhëzimi si do fshihen 1 mld euro detyrime të papaguara deri në 2014; pagesat nisin më 10 qershor

Nisi zbatimi i ligjit që do të fshijë rreth 1 mld euro detyrime të papaguara në tatime, dogana dhe pushtetin vendor deri më 31 dhjetor 2014.

Në Fletoren Zyrtare është botuar udhëzimi “Për zbatimin e ligjit nr. 86/2025, “për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e vendore dhe e detyrimeve të pagueshme  në doganë”.

Përveç fshirjes së plotë të detyrimeve mbi 10 vite të papaguara, ligji parashikon  edhe falje të detyrimeve më të reja, por me kushtin të paguhet një pjesë e detyrimit.

Administrata tatimore ka njoftuar që nga data 10 qershor mund të nisin pagesat për fshirjen e pjesshme të detyrimeve.

Konkretisht, për detyrimet që i përkasin periudhës nga 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019, tatimpaguesit mund të përfitojnë shuarje të pjesshme me kushtin nëse paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026, pjesa tjetër fshihet. Nëse do të paguajnë 75% të detyrimit deri më 31 dhjetor 2026 me këste mujore, 25% e mbetur fshihet automatikisht. Në të dy rastet, gjobat dhe kamatëvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht.

Për detyrimet e krijuara nga 1 janar 2020 deri më 31 dhjetor 2024, fshirja e gjobave dhe kamatëvonesave është e mundur vetëm nëse paguhet plotësisht principali deri më 31 dhjetor 2026. E njëjta skemë zbatohet edhe për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore, përfshirë vetëpunësuarit në bujqësi, me kusht që të paguhet 100% e kontributit brenda afatit të përcaktuar.

Ligji përcakton se shuhen dënimet administrative (gjobat dhe kamatëvonesat) për sigurimet shoqërore e shëndetësore që i përkasin periudhave tatimore nga 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2024, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, përfshirë të vetëpunësuarit në bujqësi me kushtin që të paguhet 100% kontributi, brenda datës 31.12.2026.

Nga bizneset në tatime dhe dogana deri në vitin 2014 rezultojnë se janë 100 mln lekë apo rreth 1 mld euro detyrime të papaguara. Shifra me detyrimin e papaguar nga bizneset deri në 2014 që parashikohet të fshihet plotësisht u bë publike nga ministri i Financave Petrit Malaj në mbledhjen e mëparshme të Komisionit Parlamentar për Çështjet Ligjore.

PJESË NGA UDHËZIMI

TATIMPAGUESIT/SUBJEKTET PËRFITUESE

1.Në zbatim të nenit 3 të ligjit, subjektet që do të përfitojnë të drejtën për pagesën dhe fshirjen/ shuarjen e detyrimeve tatimore, janë si më poshtë: a) Tatimpaguesit e regjistruar në regjistrin aktiv, pasiv, të çregjistruar ose me statuse të tjera në sistemin tatimor e-Tax, për detyrime tatimore ndaj administratës tatimore qendrore, sipas neneve 5, 6, 7 dhe 11 të ligjit; b) subjektet e regjistruara në regjistrin aktiv, pasiv, të çregjistruar ose me statuse të tjera në sistemin tatimor e-Tax, për detyrime tatimore ndaj administratës tatimore vendore, sipas neneve 5, 6, 7 dhe 11 të ligjit; c) Subjektet debitore ndaj administratës doganore për detyrime, sipas neneve 9, 10 dhe 11 të ligjit. 2. Organi tatimor qendror apo vendor dhe organi doganor, brenda datës 31.1.2027, publikojnë në faqen zyrtare ëeb të institucionit, listën e plotë të 3 000 (tre mijë) tatimpaguesve/subjekteve që kanë rezultuar me fshirjen/shuarjen më të madhe të detyrimeve, sipas përcaktimeve të këtij ligji. Në çdo rast, në listë të përfshihen të gjithë tatimpaguesit/ subjektet, të cilave u është fshirë/shuar detyrimi jo më i vogël se 5 milionë lekë.

III. TATIMPAGUESIT/SUBJEKTET QË NUK PËRFITOJNË

1. Në zbatim të nenit 4 të ligjit, nga fshirja/ shuarja e detyrimeve nuk përfitojnë tatimpaguesit/ subjektet, që kanë detyrime tatimore/detyrime të pagueshme në doganë, të cilët janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose janë në proces gjyqësor apo hetimi për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore, në kuptim të legjislacionit të fushës, përpara ose gjatë kohëzgjatjes së zbatimit të këtij ligji.

Organi tatimor qendror, organi tatimor vendor dhe organi doganor, bazuar dhe në informacionin e siguruar nga organet e pushtetit gjyqësor, Ministria e Drejtësisë dhe/ose institucionet në varësi të saj, apo organet e pavarura të drejtësisë, sipas pikës 2 të nenit 4 të ligjit, brenda 20 (njëzet) ditëve nga data e hyrjes në fuqi e këtij udhëzimi, duhet të përgatisin listën e tatimpaguesve/subjekteve që nuk përfitojnë nga fshirja/shuarja e detyrimeve. Kjo listë përditësohet çdo muaj.
Listat e detajuara dhe të përditësuara do të shërbejnë për njoftim zyrtar të tatimpaguesve/ subjekteve që përjashtohen nga zbatimi i ligjit. Njoftimi zyrtar i tatimpaguesve/subjekteve për organin tatimor qendror bëhet në llogarinë e tyre në e-Filing, ndërsa për organin tatimor vendor dhe doganor bëhet me shkresë zyrtare. 4. Për tatimpaguesit/subjektet për të cilët gjatë zbatimit të këtij ligji fillon një proces gjyqësor apo hetimor për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore, procedura e faljes, nëse është zbatuar, anulohet. Organi tatimor qendror, apo vendor, dhe organi doganor, marrin masat për rivendosjen e detyrimeve që kanë ekzistuar përpara përfitimit. E njëjta procedurë ndiqet edhe në rastet kur konstatohet që tatimpaguesi/subjekti ka përfituar gabimisht nga dispozitat e këtij ligji. Në të gjitha rastet, kur bëhet anulimi i fshirjes/shuarjes së detyrimeve, njoftohet zyrtarisht edhe tatimpaguesi/ subjekti.

 FSHIRJA E DETYRIMEVE TATIMORE

Fshihen automatikisht detyrimet tatimore të papaguara sipas përcaktimit në pikën 1 të nenit 2 të ligjit, që u përkasin periudhave tatimore dhjetor më parë, dhe që rezultojnë të llogaritura apo të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Këtu përfshihet çdo detyrim tatimor i regjistruar në sistemin informatik ose jashtë sistemit, por që është i regjistruar në kontabilitetin e drejtorive rajonale tatimore.
Fshihen/shuhen detyrimet e papaguara, të përcaktuara sipas ligjit nr. 9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, që u përkasin periudhave tatimore deri në datën 31 dhjetor 2014.
Fshihen automatikisht gjobat dhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, që u përkasin periudhave tatimore para 31 dhjetor 2014, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit, përfshirë të vetëpunësuarit në bujqësi, por pa përfshirë kontributin.
Pavarësisht nga përcaktimet në pikat 1 dhe 2 të këtij kreu, në rastin kur është paguar principali dhe tatimpaguesi ka detyrime të papaguara vetëm gjoba dhe kamatëvonesa në llogarinë e tij, falen gjobat dhe kamatëvonesat.
Fshihen detyrimet tatimore të papaguara, të vendosura për subjektet e çregjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) pas datës së çregjistrimit, të cilat janë evidentuar dhe kontabilizuar në regjistrat e administratës tatimore deri në datën 31.12.2024, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Për rastet kur data e njoftimit, apo aktkonstatimi mban datën 31.12.2014 dhe më parë, ndërsa data e kontabilizimit është bërë pas kësaj date, fshirja/shuarja bëhet manualisht nga strukturat përkatëse, sipas parashikimeve të këtij kreu.
Organi tatimor qendror/vendor administron listat e detajuara të tatimpaguesve që kanë përfituar nga fshirja automatike, apo manuale sipas këtij kreu.

FSHIRJA/SHUARJA E DETYRIMEVE TATIMORE ME KUSHT PAGIMIN E TATIMIT/TAKSËS/TARIFËS/KONTRIBUTIT

Në zbatim të nenit 6 të ligjit, organi tatimor qendror/vendor brenda 20 (njëzet) ditëve kalendarike nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi, harton listën e plotë të të gjithë debitorëve, të cilët kanë detyrimet tatimore të papaguara dhe të evidentuara nga 1 janari 2015 deri më 31 dhjetor 2019. Kjo listë do të konsiderohet si lista bazë në të cilën do të pasqyrohen debitorët, detyrimet e pagueshme (principali) dhe gjobat/kamatëvonesat përkatëse.
Për detyrimet tatimore qendrore apo vendore, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që u përkasin periudhave tatimore nga 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019, shuarja bëhet sipas njërës nga alternativat e mëposhtme që zgjedh tatimpaguesi: a) Shuhet 50% e detyrimit tatimor (tatim/ taksë/tarifë), si dhe fshihen plotësisht gjobat dhe kamatëvonesat përkatëse, me kushtin që pjesa e mbetur prej 50% të detyrimit tatimor të paguhet e gjitha njëherësh brenda datës 30.6.2026. b) Shuhet 25% e detyrimit tatimor (tatim/ taksë/tarifë), si dhe fshihen plotësisht gjobat dhe kamatëvonesat përkatëse, me kushtin që pjesa e mbetur prej 75% të detyrimit tatimor të paguhet brenda datës 31.12.2026.
Shuhen gjobat dhe kamatëvonesat për detyrimet tatimore që u përkasin periudhave tatimore nga data 1 janar 2020 deri në datën 31 dhjetor 2024, me kusht që tatimi/taksa/tarifa për periudhën përkatëse të paguhet e plotë (100% e principalit) brenda datës 31.12.2026.
Shuhen dënimet administrative (gjobat dhe kamatëvonesat) për sigurimet shoqërore e shëndetësore që u përkasin periudhave tatimore nga data 1 janar 2015 deri në datën 31 dhjetor 2024, që rezultojnë të llogaritura apo të regjistruara në llogarinë e tatimpaguesit, përfshirë të vetëpunësuarit në bujqësi, me kushtin që të paguhet 100% kontributi brenda datës 31.12.2026.
Nëse subjekti për periudhat e përcaktuara në pikat 2, 3 dhe 4 të këtij kreu nuk ka tatim/ taksë/tarifë/kontribut (principal) për të paguar, duke qenë se e ka paguar më parë ose tatimi ka qenë zero, atëherë atij i aplikohet automatikisht fshirja/ shuarja e kamatëvonesave dhe gjobave të mbetura pa paguar në llogari.
Për rastet kur data e njoftimvlerësimit apo aktkonstatimi mban datën 31.12.2024 dhe më parë, ndërsa data e kontabilizimit është bërë pas kësaj date, fshirja/shuarja bëhet manualisht nga strukturat përkatëse sipas kushteve të këtij kreu.

FSHIRJA/SHUARJA E DETYRIMEVE TATIMORE TË TJERA

Në zbatim të nenit 7 të ligjit, janë objekt i fshirjes/shuarjes detyrimet tatimore të mëposhtme, pavarësisht periudhës tatimore që i përkasin, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore: 1.1 Fshihen/shuhen automatikisht detyrimet tatimore, përfshirë tatimin/taksën/tarifën, kamatëvonesën dhe dënimet administrative për subjektet persona fizikë ose juridikë, të cilët rezultojnë të çregjistruar në QKB ose me vendim gjykate, apo që janë të çregjistruar në administratën tatimore deri në datën 31.12.2024. 1.2 Organi tatimor qendror/vendor përgatit listën e subjekteve sipas përcaktimeve të mësipërme, brenda 20 (njëzet) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të udhëzimit.  1.3 Tatimpaguesit përfitues të ligjit, sipas listës së përgatitur, pas kryerjes së fshirjes së detyrimeve nga sistemi, në mënyrë automatike do të çregjistrohen nga sistemi me datën efektive të çregjistrimit sipas listës, pa qenë i nevojshëm dorëzimi i deklaratave, me përjashtim të deklaratave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe të listëpagesave. 1.4 Për detyrimet vendore, organet e pushtetit vendor marrin masat për fshirjen e detyrimeve nga regjistrat përkatës.
Në zbatim të nenit 7, shkronja “b” të ligjit, fshihen/shuhen në mënyrë automatike dënimet administrative (gjobat) tatimore të llogaritura automatikisht nga sistemi për mosdeklarim në afat, sipas nenit 113 të ligjit nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të llogaritura deri më 31.12.2024, përfshirë edhe dënimet që lidhen me afatin e deklarimit të të punësuarve.
Fshihen/shuhen dënimet administrative (gjobat) për mosdeklarim në afat për deklarata të padorëzuara, që u përkasin periudhave deri në datën 31.12.2024, me kusht që çdo deklaratë e padorëzuar të dorëzohet deri në datën 30.6.2026.
Pavarësisht nga përcaktimet në pikën 3 të këtij kreu, dënimet administrative (gjobat) për mosdeklarim në afat për deklarata të padorëzuara si pasojë e gjenerimit të tyre nga ana e subjekteve individë për efekt deklarimi të Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave që u përkasin periudhave deri në datën 31.12.2024 fshihen automatikisht, pa qenë i nevojshëm dorëzimi i deklaratave.
Fshihen/shuhen automatikisht dënimet administrative (gjobat) për dorëzim të vonuar të vendimit për destinimin e rezultatit dhe dorëzim me vonesë të pasqyrave financiare të aplikuara sipas ligjit nr. 8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, të llogaritura deri në datën 31.12.2024.
Fshihen/shuhen gjobat dhe interesat e gjeneruara në sistem nga ndryshimi i listëpagesave për periudhat e kaluara, që rrjedhin nga zbatimi i një akti ligjor, apo nënligjor, me efekt prapaveprues, apo zbatimit të një vendimi gjykate të formës së prerë, sipas akt konstatimit me datë deri më 31.12.2024.
Për rastet kur sipas pikave të këtij kreu, data e akt konstatimit mban datën 31.12.2024 dhe më parë, ndërsa data e kontabilizimit është bërë pas kësaj date, fshirja/shuarja bëhet manualisht nga strukturat përkatëse./ Monitor/