Muçollari: ‘Durrës Marina’ po fundoset, Rama e ka trajtuar portin si pronë private, i ka falur 80 ha truall Alabarit
Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, duke folur nga Durrësi ka ngritur akuza ndaj Edi Ramës lidhur me projektin ‘Durrës Marina’, duke deklaruar se bëhet fjalë për një aferë që cenon interesin publik dhe pasuritë strategjike të vendit.
Duke folur nga zona e kantierit, Muçollari tha se sipas të dhënave zyrtare disa godina janë zhytur deri në 28 centimetra, ndërsa raportime mediatike flasin për një fundosje që mund të shkojë deri në 1 metër.
Reagimi i plotë:
Këtu pas meje po ngrihet Durrës Marina ku sipas organeve zyrtare disa godina janë zhytur, deri në 28 centimetra.
Ndërkohë raportimet në media flasin për një fundosje deri në 1 m.
Fundosja më e madhe këtu është, interesi publik, sepse kemi të bëjmë me një aferë e projekt privat të Edi Ramës me mikun e tij Alabar.
Pa asnjë konsultim e transparencë u falen 80 hektarë truall të portit të Durrësit, një prej pasurive më të mëdha të vendit, nyja më e rëndësishme ekonomike dhe strategjike.
Edi Rama e trajtoi portin e Durrësit si ta kishte pronë private.
Sipas propagandës, këtu do investohen nga Alabari 2 miliardë euro. Por deri tani, vetëm janē arkëtuar para nga qytetarët me kontrata parablerje.
Bëhet fjalë për dhjetëra milionë euro.
Miku i Edi Ramës jo vetëm ka marrë 80 hektarë truall këtu që vlen disa miliarde euro, por nuk do tē paguajē asnjē taksë, madje dhe disa punime si pastrimi dhe largimi i inerteve do të bëhen nga shteti, me taksat tona.
Fundosja e godinave është gjurma e një krimi.
Trajtimi i vendit si plaçkë dhe i pasurive publike si private, ka dëmtuar rëndë interesin publik dhe ekonominë në Shqipëri.
Mos harroni, për shkak të këtij projekti personal të Edi Ramës ne nuk kemi port. Ndërkohe që kishim port 2 mije vjeçar, që ishte dhe pika kryesore e korridorit 8, sot kemi disa godina që po fundosen dhe disa xhepa që po fryhen me paratë tona.