Gjykata e Gjirokastrës analizon punën vjetore, problematikë mbeten dosjet e mbartura ndër vite

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm në Gjirokastër ka zhvilluar analizën vjetore të punës për vitin 2025, ku është evidentuar një volum i lartë çështjesh të administruara, si dhe problematika që lidhen me dosjet e mbartura ndër vite.

Sipas të dhënave të paraqitura gjatë analizës, gjatë vitit 2025 janë administruar në total 2132 çështje gjyqësore. Nga këto, 2073 çështje kanë përfunduar shqyrtimin, ndërsa 1257 të tjera janë mbartur për vitin 2026.

Drejtuesja e gjykatës, Entela Selmanaj, u shpreh se sistemi gjyqësor, përfshirë edhe Gjykatën e Gjirokastrës, është përballur prej vitesh me një numër të lartë dosjesh të paevaduara, por gjatë vitit 2025 është shënuar progres në reduktimin e tyre.

Sipas saj, dosjet e mbartura janë reduktuar me rreth 35%, ndërsa një ndikim pozitiv ka pasur edhe plotësimi i trupës gjyqësore sipas organikës me shtatë gjyqtarë.

“Viti 2025 ka një tregues pozitiv në lidhje me evadimin e dosjeve, me vendosjen në lëvizje dhe dhënien e vendimeve përfundimtare nga ana e gjykatës”, u shpreh Selmanaj gjatë analizës.