'Skandali i deklaratës së ministrit Hoxha', Ceno: Në vende normale ministri do të largohej
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enri Ceco, gjatë intervistës së tij në emisionin “Kafe Shqeto”, ka komentuar zhvillimet e fundit në diplomacinë shqiptare dhe mënyrën sesi është menaxhuar politika e jashtme gjatë viteve të qeverisjes së Edi Ramës. Në analizën e tij, Ceco u shpreh kritik ndaj funksionimit të diplomacisë shqiptare, duke theksuar se vendimmarrja në këtë sektor ka qenë e përqendruar kryesisht te Rama, ndërsa ministrat e Jashtëm kanë pasur një rol më të kufizuar.
Ai u ndal veçanërisht te emërimi i ministrit aktual të Jashtëm, Ferit Hoxha, për të cilin tha se nuk ishte domosdoshmërisht zgjedhja më e menduar për shkak të profilit të tij diplomatik, por më tepër një lëvizje e lidhur me balancat e brendshme politike në qeveri dhe largimin e Elisa Spiropalit nga fusha e marrëdhënieve ndërkombëtare.
Sipas Cecos, megjithëse Ferit Hoxha ka një karrierë të gjatë në diplomaci dhe eksperiencë në poste të rëndësishme ndërkombëtare, prej tij pritej një komunikim më i kujdesshëm dhe një standard më i lartë diplomatik. Ai kritikoi ashpër deklaratat e ministrit lidhur me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, duke i konsideruar si gafa të rënda që në shumë vende të botës do të sillnin dorëheqje ose shkarkim të menjëhershëm.
Në vijim, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare tha se intervistat dhe qëndrimet e fundit të ministrit Hoxha tregojnë edhe mungesë koordinimi brenda qeverisë shqiptare në çështjet e politikës së jashtme, duke nënvizuar se diplomacia shqiptare gjatë gjithë këtyre viteve është drejtuar në mënyrë të centralizuar nga vetë Edi Rama.
Deklarata e plotë:
“Në fakt për të analizuar diplomacinë e Shqipërisë së këtyre, të gjithë periudhës së qeverisjes së Edi Ramës, nuk është se nevojitet një ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare, por më tepër nevojitet një psikoanalist për të kuptuar gjendjen.
Dhe rasti konkret i ministrit aktual Ferit Hoxha, tregon faktin që nuk është e thënë të jesh një burokrat qoftë edhe me karrierë për t'u shndërruar automatikisht në një politikan i zoti.
Pra, thënë këtë, vlen fakti që nxitimi i mënyrës se si u përzgjodh Ferit Hoxha, nuk ishte më shumë arsyeja për të zgjedhur Feritin, por ishte arsyeja për të larguar Spiropalin, për të krijuar ato balancat brenda qeverisjes së Edi Ramës, që herë pas here ai i ka marrë ndërveprime të tilla.
Të paktën në zhargonin e tyre, pra në retorikën që përdor Edi Rama dhe dhe funksionarë të tjerë të qeverisë së tij pra Spiropali po krijonte një lloj valence veçmas, pra një lloj autonomie në marrëdhëniet ndërkombëtare.
Ne nuk i dimë në brendësi se çfarë konfliktesh kanë patur me njëri-tjetrin, por dukshëm kishte krijuar një lloj valence ku ishte kthyer në një lloj pike reference për zyrtarë të ndërkombëtarë, qoftë për ambasadat e atashuara në Tiranë, por edhe për diplomatë të huaj anembanë, qoftë mbi të gjitha në Washington, por edhe në Bruksel.
Po fakti që përzgjidhet një individ me eksperiencë në burokracinë, ka rreth tre dekada eksperiencë në pozicione nga më të rëndësishme në hierarkinë e diplomacisë shqiptare. Pra pritet që një zyrtar i tillë të ketë së paku një retorikë më të kujdesshme, më diplomatike, pra të ketë atë kostumin e diplomatit dhe nuk është e pritshme të bëhen gafa të tilla, aq më tepër ajo gjuha e përdorur për shqiptarët e Maqedonisë, që është e patolerueshme.
Nëpër vende të ndryshme të botës vetëm për një gabim të tillë, një lapsus të tillë largohen nga detyra, jep dorëheqje ose shkarkohet nga drejtuesi i qeverisë.
Ndërkohë që tregon një lloj mosrakordimi me qeverinë, fakti i intervistës që Ferit Hoxha ka dhënë në Bruksel, tregon që nuk është se ka një lloj rakordimi, por kjo është e kuptueshme sepse personi i vetëm që ka zhvilluar dhe drejtuar diplomacinë shqiptare në gjithë këto vite është Edi Rama.