Rezoluta konsensuale për integrimin, 'dashuri' në kohërat e kolerës!
Nga Petrit Vasili
Dje një rezolutë për integrimin u votua konsensualisht në Kuvend, ndërkohë që vendi është zhytur realisht në një "kolerë" antidemokratike, antiparlamentare, antikushtetuese, antiligjore dhe antiqytetare.
Polarizimi politik dhe social po përjeton ditë nga më kritiket dhe dihet botërisht se shkaku i vetëm i kësaj situate kaq të rëndë është vetëm Rama dhe të tijtë.
📍 A ka ndryshuar ndonjë gjë në sjelljet, vendimet dhe veprimet e maxhorancës rilindase, që do të përligjte sot një konsensus me të?
Përgjigjja bazuar vetëm në fakte është e qartë:
Absolutisht asgjë nuk ka ndryshuar, përkundrazi është përkeqësuar në mënyrë galopante.
Dhuna kriminale naziskine ndaj opozitës është e pranishme dhe po rëndohet në ekstrem në çdo protestë të opozitës, llogaridhënia në Kuvend është asgjësuar krejtësisht, mbrojtja e korrupsionit ka arritur nivelet më të frikshme të para ndonjëherë, ligjet plaçkitëse të pronës private dhe publike s'kanë të ndalur, kapja dhe censura mediatike po shënojnë rekorde gjithnjë e më të zeza, inkriminimi i qeverisjes me narkotrafikun dhe krimin e organizuar e atë ordiner vetëm thellohet dhe kjo po provohet çdo ditë me fakte të reja pa fund, shkurt e thjeshtë Shqipëria është një narkoshtet në kuptimin më të plotë të fjalës.
📍Pyetje e madhe është se çfarë zgjidh Rezoluta?
Absolutisht asgjë.
Bile është një paradoks alogjik kaq i madh sepse në tekstin e kësaj Rezolute shkruhet gjithçka, që është tashmë e shkruar qartë e saktë në Kushtetutë dhe në Rregulloren e Kuvendit, të cilat janë detyrime ligjore shterruese, por që shkelen e dhunohen hapur nga Rama dhe të tijtë.
Rezoluta edhe në përmbajtje është pak të thuash pa kuptim sepse konstatimet tepër të rënda e serioze për gjendjen në Shqipëri janë bërë publike në mënyrë shumë të qartë në Raport-Progresin, në Rezolutat tepër të forta të Parlamentit Europian, në Raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit, apo edhe Rezoluta të grupime të gjera ndërkombëtare të partive politike.
Pas këtyre kambanave të dokumenteve zyrtare ndërkombëtare madhore detyruese, na del tani edhe një zilkë e vogël, që është kjo Rezolutë konsensuale e një Parlamenti të bllokuar dhe të kapur për gryke nga Rama, i cili nuk dëgjon kambanat e jo më zilkën e vockël.
Aq e paradoksale është situata, sa që edhe njeriu kryesor i maxhorancës kryeministri Rama, as që mori pjesë fare në këtë seancë dhe as e votoi dhe as mbajti pozicion politik ose të angazhohej në sallën e Kuvendit ku ajo u votua, duke treguar qartë se as që e merr fare seriozisht këtë Rezolutë ashtu siç nuk ka pyetur edhe për ato ndërkombëtaret.
Pra opozita diskutoi dhe i dha konsensus Taulant Ballës!
📍Pyetja tjetër e madhe është:
Çfarë fuqie ka Rezoluta dhe a e imponon dot ajo Ramën dhe maxhorancën?
Përgjigjja është e thjeshtë:
Absolutisht fare!
Edhe Rezoluta të tjera për integrimin europian janë votuar nga Kuvendi dhe efekti i tyre ka qenë gjithmonë zero e situata ka shkuar keq e më keq.
Rama dhe maxhoranca nuk zbatojnë më as vendimet e Gjykatës Kushtetuese e jo më të pyesin për një Rezolutë, që nuk ka asnjë lloj fuqie ligjore detyruese mbi ta.
Konkluzion:
Ky lloj konsensusi me Ramën dhe narkoqeverisjen në karrigen e pushtetit është një veprim pa vlerë si dhe mungesë koherence e konseguence.
Konsensus do të thotë mirëkuptim pra secila palë lëshon nga vetja.
📍Tjetër pyetje është, çfarë lëshoi Rama në këtë rast?
Asgjë po absolutisht asgjë fare.
Ndërsa opozita lëshoi pozicionin e papajtueshmërisë së fortë të saj dhe i dha Ramës bonusin e normalitetit, i cili është fiktiv, por që do të shitet nga Rama në BE dhe gjithkund si normalitet real politik që bile lindi në sallën e një Kuvendi sipas tij funksionues me vetëm ca probleme të vogla.
Argumenti i opozitës se Rezoluta në shumicën e saj qenka shkruar nga opozita është vetëm një justifikim për komplekset e saj të pashërueshme në raport me të huajt e dukshëm dhe të padukshëm.
Jo shumicën, por edhe sikur ta kishte shkruar njëqind për qind opozita rezolutën asgjë nuk ndryshon sepse në krahun tjetër kemi një narkomaxhorancë dhe narkoqeverisje, që jep prova përditë se nuk pyet për ligje dhe jo më për një Rezolutë që për ta është thjesht një komedi politike.
📍Pyetje tjetër e pashmangshme është çfarë shpreson opozita se do të fitojë tash e pas kësaj Rezolute?
A mos do hedhin ujë më pak qeveria dhe nuk do të rrahin më edhe aq shumë deputetët opozitarë dhe qytetarët nëpër protesta?
Apo është gëzim se rilindja do pranojë ndonjë interpelancë më tepër me ministrat, që vazhdojnë korrupsionin pa u ndalur.
Apo deputetëve të opozitës do t'u japin edhe ca minuta më shumë për të folur në Kuvend.
Apo do të pranojnë ndonjë deputet të opozitës më shumë në delegacionet jashtë shtetit.
📍Konkluzion:
Në këtë kolerë antidemokratike rilindase që ka pushtuar vendin për shkak të Ramës, "dashuri konsensuale" do të thotë të infektohesh me vullnet, pasi fundi i konsensusit me Ramën, Ballën dhe rilindjen është tashmë i ditur dhe aspak i panjohur.
E kaluara e raporteve të opozitës me këtë narkomaxhorancë, që sundon prej trembëdhjetë vitesh është një e kaluar, që vetëm ka provuar se asnjë konsensus me Ramën dhe të tijtë nuk funksionon dhe nuk ka arritur asnjë rezultat të vetëm.
Marrëveshja e 5 qershorit të vitit 2020 për reformën zgjedhore, që pati edhe mbështetje dhe garanci të hapura ndërkombëtare, e cila u asgjësua me një të rënë të lapsit nga Rama, del e tepron si shembull dhe argument për të hequr çdo iluzion të opozitës se mund të gjendet konsensus parimor me Ramën.
Ndaj kjo Rezolutë mbetet siç thonë në futboll një asist për Ramën, që ai të bëjë golin e radhës me tezën e tij sorosiane të: "normalitetit permanent dhe stabilitetit politik, që ekziston dhe e garanton vetëm ai", ndërkohë që huri e druri valon mbi shpinën e opozitarëve në çdo shesh e rrugë të Shqipërisë.