Bayerni nuk humb kohë, gati superoferta për Harry Kane para Kupës së Botës

Bayern Munich po përgatit lëvizjen e radhës për të siguruar të ardhmen e Harry Kane.

Sipas raportimeve të “Sport Bild”, drejtuesit e Bayernit duan të përshpejtojnë bisedimet për rinovimin e kontratës së bomberit anglez dhe synojnë të zhvillojnë një takim me përfaqësuesit e tij përpara Kupës së Botës.

Klubi bavarez pritet që shumë shpejt t’i dërgojë një kërkesë zyrtare kampit të sulmuesit, ndërsa Harry Kane shihet si një nga figurat kyçe të projektit të ardhshëm të Bayernit.

32-vjeçari është i hapur për të vazhduar aventurën në Mynih, por aktualisht nuk ndjen presion për të vendosur mbi të ardhmen e tij.

Sipas raportimeve, kapiteni i Anglisë nuk do të kishte problem edhe nëse diskutimet finale do të zhvilloheshin pas përfundimit të Kupës së Botës, turne ku ai do të jetë lideri i “Tre Luanëve”.

Ndërkohë, eksperti i merkatos Nicolo Schira ka zbuluar se Bayerni synon ta mbyllë sa më shpejt çështjen e kontratës së Harry Kane.

Sipas tij, në tavolinë ndodhet një ofertë e re që do ta mbante sulmuesin anglez në “Allianz Arena” deri në vitin 2028.

Pas paraqitjeve mbresëlënëse me fanellën e Bayernit, drejtuesit bavarezë e konsiderojnë Harry Kane si liderin perfekt për projektin afatgjatë dhe nuk duan të rrezikojnë largimin e tij në sezonet e ardhshme.