Kurti pret sot në Prishtinë komisioneren e BE-së për Zgjerim, Marta Kos
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, do të presë këtë të premte në takim komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, në vizitën e saj të parë zyrtare në Kosovë që nga marrja e detyrës në vitin 2024.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, pas takimit do të mbahet një konferencë e përbashkët për media në orën 10:45.
Vizita e komisioneres Kos në Prishtinë vjen në një moment të rëndësishëm për raportet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ndërsa në agjendën e saj nuk janë paraparë vizita në vendet e tjera të rajonit, as para dhe as pas qëndrimit në Kosovë.
Marta Kos kishte planifikuar të vizitonte Kosovën më 12 mars, por vizita ishte anuluar për shkak të dekretit të nxjerrë nga presidentja e atëhershme, Vjosa Osmani, për shpërndarjen e Kuvendit.