Siguroi mbijetesën, klubi debutues në Superiore i rinovon kontratën trajnerit
Vora ka vendosur të vazhdojë projektin e saj sportiv me stabilitet, duke rinovuar kontratën me trajnerin Arjan Bellaj edhe për sezonin e ardhshëm.
Pas një edicioni pozitiv, ku skuadra arriti të siguronte objektivin kryesor, mbijetesën në elitë, drejtuesit e klubit kanë zgjedhur të mos bëjnë ndryshime në pankinë, por të vazhdojnë me teknikun që i dha ekipit qëndrueshmëri dhe rezultate të rëndësishme.
Lajmi është bërë publik nga vetë klubi përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale, ku theksohet se palët kanë rënë dakord për vijimin e bashkëpunimit edhe për një sezon tjetër.
Sipas klubit, vendimi vjen si rezultat i punës së mirë të Bellajit gjatë sezonit të fundit, ku ekipi shfaqi rritje të dukshme nga java në javë, duke u bërë një kundërshtar i fortë dhe i organizuar në kampionat.
Drejtuesit e Vorës kanë vlerësuar jo vetëm rezultatet në fushë, por edhe disiplinën, profesionalizmin dhe atmosferën pozitive që trajneri ka krijuar brenda grupit. Pikërisht këto elemente kanë qenë vendimtare në vendimin për t’i besuar sërish drejtimin e skuadrës.
Nga ana e tij, Arjan Bellaj ka falënderuar klubin për besimin e dhënë dhe është shprehur i gatshëm për të vijuar punën me objektiva edhe më ambicioze në sezonin e ri, ku synimi do të jetë një paraqitje më e fortë dhe më konkurruese në kampionat.
Me këtë rinovim, Vora jep një sinjal të qartë për vazhdimësi dhe konsolidim të projektit të saj në futbollin shqiptar, duke synuar të ndërtojë një ekip gjithnjë e më të qëndrueshëm në elitë.