Tritol biznesit të Noizyt dhe gjoba 1 mln € që vendosi Laert Haxhiu, Artan Tafani rrëfen në sallën e gjyqit episodin

I penduari i drejtësisë Artan Tafani ka dëshmuar në gjyqin kundër Laert Haxhiut duke rrëfyer se pse ky i fundit porositi vënien e tritolit në biznesin e këngëtarit Rigels Rajku, njohur si ‘Noizy’. Tafani rrëfeu gjithashtu edhe për një gjobë që banda e Haxhiut I vendosi një biznesmeni nga Lushnja, që u shantazhua pranë Tiranës.

I penduari i drejtësisë, Artan Tafani ka rrëfyer këtë të enjte në Gjykatën e Posaçme disa prej ngjarjeve kriminale të kryera nga grupi i Laert Haxhiut ku bënte pjesë, përfshirë vënien e tritolit në lokalin e këngëtarit Rigels Rajku, njohur si Noizy, pas një sherri me reperin tjetër Klevio Ahmetajn

“Nëna dhe motra e Kleviolit morën në telefon Laertin, e pyesnin si e rrahën kështu, Laerti u vu në siklet, u prek në sedër, çohuni na tha mua e Lulzim Spahisë, shkoni vijini tritol. Lulzimi qëndroi në makinë. Lokali që ishte në kat të dytë i Noizyt, i kishte xhamat hapur. S’po gjeja dot shkallët, kthehem te makina i them ‘s’po gjej dot shkallët’, Lulzimi komunikon me Laertin me chat email, ne të dy kishim të njëjtin aparat, Laerti e kishte personal, i them ‘ta vendos te lokali poshtë, tek dyqani i rrobave, mu te dera ose vendoseni vetë.

Jo tha Laerti, jo Lulzimi por ti’. Pasi pyetëm Lartin, na tha ‘vendoseni aty’. E ndeza fitilin dhe ika tek makina. Disa metra më tutje dëgjuam shpërthimin, i shkruajtëm Laertit që ‘e vumë shpërtheu’, dhe u kthyem në shtëpi. Klevioli përmendte Laertin në këngë. Noizy ka goditur Kleviolin me grushta, Izet Imeri ishte me Kleviolin, dhe dy të tjerë, si mbaj mend me emra.

Klevioli ishte në komisariat, mendoj se nuk e dinte që Laerti do vendoste tritolin. Lëndën eksplozive e kemi marrë në Tepelenë te Riziano Abedini. Laerti tritolin, armët makinat i mbante gati që kur ti duheshin ti kishte. Pas ca kohësh ikëm në Ksamil, aty ka folur Laerti me Kleviolin, i ka thënë ta ka vënë Orges Bilbili si dhuratë tritolin jo që e bëmë ne. Suel Çela përmes Juli Pashakos i çon fjalë se e ka mik shefin e Elbasanit dhe se do ia mbyllte ai çështjen e ngjarjes së Peqinit, për vrasjen e Bashaliut”.

Sipas kësaj dëshmie gjithçka nisi pas një sherri në tik – tok që u zhvendos në Durrës, ku pati përplasje edhe të dhunshme mes këngëtarëve të cilët përfunduan në atë kohë përpara drejtësisë. Një tjetër ngjarje që rrëfeu i penduari një gjobë 1 milion eurosh që i vunë një biznesmeni nga Lushnja.

“Ne i kishim vënë gjobë 1 milion euro një biznesmeni me emrin Enea në Lushnje, mbiemrin s’ja mbaj mend. Kishte probleme me ca gango, Land Shyti, i thonë "mustaqe kuqi". Ata ishin vrarë e prerë, Laerti kërkonte biznesmenin ta kapte, si përfundim ai erdhi vetë kërkoi ndihmë, pasi kishte probleme me "mustaqe kuqin". Në e marrim biznesmenin dhe e dërgojmë në një rrëzë mali në Tiranë dhe Laerti i vendosi 1 milion euro gjobë. Biznesmeni 100 mijë euro ja dha dhuratë atij djalit që e njohu me Laertin, ne i morëm atë ditë 120 milion lekë, dmth atij biznesmeni në total ja kemi marrë 360 mijë euro”

Tafani ripërsëriti veten mbi përfsjirjen në këtë grup nga deklarimet e mëparshme, ku tha se Laert Haxhiu ishte i rrezikshëm, dhe se sa herë zgjohej nga gjumi të tjerët rrinin në frikë. Laert Haxhiu po gjykohet i vetëm në këtë process pasi u arrestua ndër të fundit të grupit të tij që akuzohen për 14 krime të rënda.