Mbappe, Dembele dhe ‘yjet’ e tjerë, Franca publikon listën për Botërorin 2026, jashtë Camavinga, Muani...
Trajneri i Francës, Didier Deschamps, ka publikuar zyrtarisht listën me 26 lojtarët e grumbulluar për Kupën e Botës.
Nënkampionët e botës të vitit 2022 dhe fituesit e trofeut në vitin 2018 do të udhëhiqen nga ‘yjet’ më të mëdhenj të skuadrës, si Kylian Mbappé, Ousmane Dembélé dhe William Saliba.
Megjithatë, lista ka sjellë edhe mungesa të rëndësishme. Mesfushori i Real Madrid, Eduardo Camavinga, nuk do të jetë pjesë e Botërorit, ashtu si edhe sulmuesi Randal Kolo Muani dhe portieri i Paris Saint-Germain, Lucas Chevalier.
Nga ana tjetër, Deschamps ka surprizuar me ftesat për portierin e Lens, Robin Risser, si dhe për lojtarët e Crystal Palace, Jean-Philippe Mateta dhe Maxence Lacroix.
Franca ndodhet në Grupin I të Botërorit dhe do ta nisë aventurën më 16 qershor kundër Senegalit. Më pas “Les Bleus” do të përballen me Irakun më 22 qershor, ndërsa ndeshjen e fundit të fazës së grupeve do ta luajnë ndaj Norvegjia më 26 qershor.
Në konferencën për shtyp, Deschamps pranoi se përzgjedhja e listës nuk ishte e lehtë.
“E di që do të zhgënjej disa njerëz, por kjo është pjesë e futbollit dhe e konkurrencës. Lista u finalizua vetëm mbrëmjen e kaluar”, deklaroi trajneri francez.
Ai foli edhe për dëmtimet, duke ndalur veçanërisht te rasti i Hugo Ekitiké, sulmues i Liverpool, i cili pësoi këputje të tendinës të Akilit.
Deschamps nuk e fshehu as objektivin e Francës në këtë Botëror.
“Nuk ka presion, por ekziston detyrimi për të qenë mes favoritëve. Ka edhe gjashtë apo shtatë kombëtare të tjera shumë të forta, por Franca prej tetë vitesh ndodhet mes tri skuadrave më të mira në renditjen e FIFA-s”, u shpreh ai.