‘Skifteri’ shqiptar del para gjyqit me xhaketën e vjedhur/ Habitet viktima, gjykata e dënon ashpër
Një shqiptar 33-vjeçar, i konsideruar si kreu i një bande që kreu plot 75 vjedhje në të gjithë Flandrën në Belgjikë, është dënuar me gjashtë vite burg. Në seancën e kaluar, shqiptari kishte veshur xhaketën e njërit prej viktimave të tij.
Kur Bavo Snauwaert u paraqit dy javë më parë si palë civile në gjykatë kundër bandës shqiptare të hajdutëve, ai mbeti i habitur. “Njëri nga ata kishte veshur një xhaketë që ma kishin vjedhur mua”, tregoi ai.
Hajduti shqiptar J. Habibi , që mbante xhaketën, deri në atë moment kishte mohuar të gjitha akuzat, por pas zbulimit të Snauwaert, mohimet e tij dukeshin pak të besueshme.
Për më tepër, gjykata e konsideroi përfundimisht atë si drejtuesin e bandës dhe i dha dënimin më të rëndë: gjashtë vite burg efektiv.
Mund të ketë edhe dënime të tjera për të, pasi ndaj tij ekziston edhe një dosje tjetër për vjedhje banesash.
“Të pandehurit kishin formuar një bandë hajdutësh të organizuar mirë dhe lëvizëse. Ata kryen aq shumë vjedhje, sa gjatë marrjes në pyetje nuk mbanin mend më se ku kishin hyrë për të vjedhur”, deklaroi gjykata.
Tre të dyshuarit e tjerë të bandës morën dënime deri në pesë vite burg, një pjesë e të cilave me kusht. Viktimave iu akordua gjithashtu dëmshpërblim.
“Jam i lehtësuar që morën një dënim kaq të rëndë”, reagoi Snauwaert. “Paratë ndoshta nuk do t’i shohim më kurrë. Por tani ai mund të ngrohet rehat me xhaketën time në burg. Gjithsesi nuk doja ta merrja më mbrapsht”.