Dosja ‘Balluku’ - Agron Tare dëshmon në Prokurori, i vëllai leje për pallat dhe park fotovoltaik
Ish-drejtor i Portit të Durrësit njëherësh ish-zv. ministër i Jashtëm nga 2018 në 2022, Agron Tare u mor në pyetje nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me dosjen ‘Balluku’. Burimet bëjnë me dije se edhe vëllai i tij, ish-futbollisti dhe drejtori aktual i Milanit, Igli Tare gjithashtu është thirru nga SPAK. Tare, gjatë kohës që Belinda Balluku ishte ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, përfitoi leje për ndërtim pallati dhe parku fotovoltaik. Emisioni ‘Plug’ në Syri TV denoncoi pak ditë më parë procedurën e ndjekur pikërisht për dhënien e këtyre lejeve
Nga Syri TV
Agron Tare, ish-drejtor i Portit të Durrësit njëherësh ish-zv. ministër i Jashtëm nga 2018 në 2022, është marrë në pyetje për më shumë se një orë në Prokurorinë e Posaçme.
I thirrur nga prokurorët Dritan Prençi dhe Dorina Bajko që po hetojnë ish-zv. kreministren Belinda Balluku, vëllai i ish-futbollistit Igli Tare është pyetur për më shumë se një orë pikërisht për këtë procedim penal të martën e kaluar.
Të njëjtat burime bëjnë me dije se SPAK ka thirrur edhe Igli Taren për ta marrë në pyetje, por për shkak të mos adresimit të saktë, thirrja është ridëguar nga organi hetues, i cili mbetet i rezervuar për të konfirmuar ditën kur pritet paraqitja e ish-futbollistit për të dëshmuar.
Disa ditë më parë emisioni investigativ “Plug” në Syri Televizion denoncoi procedurat e ndjekura që me firmën e Belinda Ballukut, Tare pëfitoi leje për ndërtim pallati dhe parku fotovoltatik.
Emisioni zbardhi detaje sesi Igli Tare, në të njëjtën periudhë që Balluku u bë Ministre e Infrastrukturës, u rikthye në Shqipëri për të investuar në ndërtim dhe energji.
Të dhënat e një raporti të KLSH të publikuar nga “Plug”, tregojnë gjithashtu 3.3 ha tokë, që kryebashkiaku i Fierit Armando Subashi i ka dhënë Igli Tares në Sheq Marinas, dyshohet e kryer në shkelje të ligjit.