Guardiola pranë largimit nga City, mund të marrë një vit pushim

E ardhmja e Pep Guardiolës te Manchester City duket gjithnjë e më e paqartë. Sipas raportimeve nga mediet italiane, trajneri katalanas mund të largohet nga skuadra angleze pas dhjetë vitesh në krye të “qytetarëve”.

Madje, sfida ndaj Chelsea-t mund të jetë një nga ndeshjet e fundit të Guardiolës në pankinën e City-t. Në rast largimi, një nga kandidatët kryesorë për ta zëvendësuar është Enzo Maresca, ish-ndihmësi i tij dhe aktualisht një emër shumë i vlerësuar në futbollin anglez.

Pas aventurës me klubin nga Manchesteri, Guardiola po mendon seriozisht të marrë një vit pushim nga futbolli, në një situatë të ngjashme me atë që bëri Zinedine Zidane pas largimit nga Real Madrid.

Në planet e trajnerit spanjoll ekziston edhe mundësia për të drejtuar një kombëtare në të ardhmen. Emri i tij është lidhur së fundmi me Italinë, ndërsa ish-mbrojtësi Leonardo Bonucci e ka përmendur Guardiolën si një alternativë ideale për “axurrët”.

Megjithatë, raportimet tregojnë se vetë Guardiola ka dyshime për gjendjen aktuale të futbollit italian, ndërsa edhe aspekti ekonomik mund ta bëjë të vështirë një marrëveshje të mundshme.

Një opsion më realist në të ardhmen mund të jetë drejtimi i Spanjës. Megjithatë, pas triumfit në UEFA Euro 2024 dhe rezultateve pozitive të fundit, largimi i trajnerit aktual Luis de la Fuente duket i pamundur, përveçse nëse Botërori 2026 rezulton një dështim për spanjollët.

Sipas burimeve pranë klubit anglez, vendimi përfundimtar i Guardiolës pritet të bëhet publik menjëherë pas përfundimit të sezonit në Premier Ligë.