Kuvendi miraton rezolutën për Integrimin në Bashkimin Europian
Kuvendi miratoi me 114 vota pro dhe 1 abstenim rezolutën për Integrimin në Bashkimin Europian.
Draft rezoluta mbi procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian e miratuar sot u dakordësua nga PD dhe PS.
Dokumenti e cilëson integrimin evropian objektiv strategjik kombëtar dhe parashikon forcimin e rolit të Kuvendit në monitorimin e negociatave, mbikëqyrjen e reformave dhe kontrollin ndaj ekzekutivit.
Pas votimit rezoluta u duartrokit.
Vota abstenim ishte e deputetit Bujar Leskaj.
Draft rezoluta nuk mori votën e kryeministrit Edi Rama i cili nuk ishte i pranishëm në kuvend.
Në rezolutë Kuvendi i Shqipërisë Rithekson se përparimi në procesin e anëtarësimit duhet të matet mbi bazën e meritës, standardeve demokratike dhe arritjeve të verifikueshme, me qëllim që Shqipëria të ecë me hapa të qëndrueshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Gjithashtu një tjetër pikë është forcimi i kontrollit parlamentar ndaj pushtetit ekzekutiv, të intensifikojë ritmin e reformës zgjedhore në zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, për garantimin e zgjedhjeve të lira e të barabarta.
Mazhoranca, po ashtu, angazhohet të sigurojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare, të respektojë kërkesat e saj në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Opozita angazhohet të sigurojë pjesëmarrje të plotë në veprimtarinë parlamentare në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Të dyja palët angazhohen për forcimin e dialogut politik, thuhet në rezolutë.
Në rezolutë Kuvendi i Shqipërisë angazhohet
- Të forcojë në tërësi dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë rolin e tij në përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
- Të ushtrojë në mënyrë të plotë dhe efikase funksionin ligjbërës dhe mbikëqyrës për procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke garantuar cilësinë e legjislacionit, përafrimin me acquis të BE-së dhe zbatimin e tij konkret në praktikë.
- Të forcojë kontrollin parlamentar ndaj pushtetit ekzekutiv, institucioneve dhe agjencive të pavarura, duke respektuar parimin kushtetues të ndarjes dhe balancimit mes pushteteve, duke rritur transparencën, auditimin dhe llogaridhënien.
- Të thellojë angazhimin e përbashkët me qytetarët, grupet e interesit dhe aktorë të tjerë të shoqërisë, me qëllim njohjen dhe gjithëpërfshirjen në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
- Të intensifikojë ritmin e reformës zgjedhore në zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias, për garantimin e zgjedhjeve të lira e të barabarta.
- Të japë mbështetje të plotë për institucionet kushtetuese dhe/ose të krijuara me ligj, duke përfshirë dhe garantimin e zbatimit të vendimeve të tyre ligjore.
- Të kërkojë përforcimin e përpjekjeve dhe të konsolidojë rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar, duke garantuar mbështetje të plotë për institucionet përkatëse dhe zbatimin e kërkesave të Bashkimit Evropian.
- Të kërkojë respektimin e lirisë së shprehjes, garantimin e pluralizimit mediatik, përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes së gazetarëve dhe gazetarisë së lirë, duke garantuar një mjedis mediatik të lirë, konkurrues dhe profesional.
- Të monitorojë luftën kundër dezinformimit dhe ndërhyrjeve të huaja, për mbrojtjen e integritetit të proceseve demokratike dhe të interesave strategjike kombëtare.
- Të nxisë dialog politik dhe shoqëror gjithëpërfshirës, për të siguruar konsensus kombëtar mbi prioritetet evropiane.
- Të nxisë forcimin institucional për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të personave, që i përkasin pakicave kombëtare.
- Të forcojë partneritetin ndërparlamentar me Parlamentin Evropian dhe parlamentet e vendeve anëtare të BE-së, duke kontribuar aktivisht në diplomacinë parlamentare dhe marrëdhëniet dypalëshe me to.
- Të refuzojë çdo nismë, akt apo veprim që devijon nga kursi i qenësishëm i anëtarësimit të plotë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
- Mazhoranca angazhohet të sigurojë kushtet për pjesëmarrjen e plotë të opozitës në veprimtarinë parlamentare, të respektojë kërkesat e saj në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Opozita angazhohet të sigurojë pjesëmarrje të plotë në veprimtarinë parlamentare në përputhje me standardet demokratike, me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit. Të dyja palët angazhohen për forcimin e dialogut politik.
Kuvendi i Shqipërisë i kërkon Këshillit të Ministrave:
Të raportojë në përputhje me kuadrin ligjor, përfshirë plotësimin e piketave përmbyllëse për të gjithë grupkapitujt negociues dhe konkluzionet e konferencave ndërqeveritare.
Të garantojë zbatim të plotë dhe të qëndrueshëm të legjislacionit në përputhje me acquis të BE-së, duke përshpejtuar reformat në shtetin e së drejtës, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, gjyqësorin dhe fushat e tjera të Grupkapitullit I “Themelorët”.
Të sigurojë sinergjinë mes instrumenteve të ndryshme financiare të Bashkimit Evropian, shteteve anëtare të tij dhe partnerëve ndërkombëtarë për zhvillim, duke raportuar në mënyrë të posaçme në Kuvendin e Shqipërisë lidhur me mbështetjen e partnerëve për zhvillim për procesin e integrimit dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian;
Të garantojë parashikime të dedikuara buxhetore në çdo program buxhetor për zbatimin e reformave kyçe në kuadër të procesit të anëtarësimit, me fokus të veçantë në mbështetjen për institucionet ligjzbatuese.
Të përputhë kuadrin ligjor për prokurimet publike me qëllim forcimin e transparencës dhe konkurrencës në prokurimet publike dhe përdorimin e fondeve të BE-së.
Të përshpejtojë reformën në administratën publike në përputhje me kërkesat e Bashkimit Evropian me qëllim rritjen e efikasitetit të saj dhe të zbatojë me përpikëri kriterin e meritës në rekrutime.
Të mbrojë mjedisin dhe zonat e mbrojtura, në përputhje me standardet e BE-së.
Të sigurojë konsultim gjithëpërfshirës me opozitën, shoqërinë civile dhe grupet e interesit për të garantuar një vendimmarrje me bazë sa më të gjerë.
I kërkon të forcojë më tej kapacitetet e strukturës shtetërore, përgjegjëse për zhvillimin e negociatave dhe lidhjen e Traktatit të Aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
I kërkon që të intensifikojë një fushatë ndërgjegjësuese mbi Bashkimin Evropian dhe standardet evropiane si nxitëse të transformimit evropian në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
I kërkon të mbështesë më tej pushtetin vendor në forcimin e kapaciteteve të tij, për ta përgatitur për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Kuvendi i Shqipërisë Rithekson se përparimi në procesin e anëtarësimit duhet të matet mbi bazën e meritës, standardeve demokratike dhe arritjeve të verifikueshme, me qëllim që Shqipëria të ecë me hapa të qëndrueshëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.