Sinner shkruan historinë në Romë, thyen rekordin e Djokovic-it

Tenisti italian, Jannik Sinner, vazhdon të dhurojë spektakël në ‘Internazionali d'Italia’, teksa ka arritur një tjetër sukses historik pas triumfit ndaj Andrey Rublev.

Falë kësaj fitoreje, Sinner regjistroi ndeshjen e 32-të radhazi të fituar në një turne Masters 1000, duke vendosur një rekord të ri dhe duke kaluar Novak Djokovic, i cili kishte ndalur serinë e tij në 31 fitore, të nisura në Indian Wells në vitin 2011.

Tenisti nga Tiroli i Jugut siguroi gjithashtu kualifikimin në gjysmëfinalen e turneut në Romë, duke u bërë italiani i dytë në histori që arrin dy herë në këtë fazë të garës, pas legjendës Adriano Panatta.

“Jam shumë i lumtur për këtë rekord, por në çdo turne përpiqem të shkoj sa më larg dhe të mendoj ndeshje pas ndeshjeje”, deklaroi Sinner pas takimit.

Ai pranoi se sfida ndaj Rublevit nuk ishte aspak e lehtë, për shkak të kushteve të vështira në fushë.

“Sot kushtet nuk ishin të thjeshta. E nisa mirë ndeshjen, ndërsa ai gabonte shumë. Më pas gjithçka u komplikua, por jam jashtëzakonisht i lumtur që jam në gjysmëfinale”, shtoi italiani.

Në fund, Sinner pati edhe fjalë të mira për bashkëkombësin Luciano Darderi, i cili po zhvillon një turne shumë pozitiv në Romë.

“Lëvizja italiane në tenis është gjëja më e rëndësishme. Jam shumë i lumtur për Lucianon, sepse po bën një turne të jashtëzakonshëm. Ka dhënë shumë fizikisht dhe do të shohim si do të jetë nesër. Sa më shumë italianë të kemi në nivele të larta, sidomos në Romë, aq më mirë është për të gjithë”, përfundoi Sinner.