Kina nuk është superfuqia që Xi pretendon se është
Pekini po vuan nga ndikimi i një ekonomie me probleme dhe i një pozicioni global në rënie
Nga Con Coughlin – The Telegraph/
Xi Jinping mund të mendojë se i ka të gjitha kartat në dorë gjatë vizitës shtetërore treditore të Donald Trump-it në Kinë. Në fakt, është e kundërta. Udhëheqësi autoritar i Pekinit ndodhet ndoshta në pozicionin më të dobët të viteve të fundit, ndërsa përpiqet të përballet me ndikimin e një ekonomie në rënie dhe një peshe më të vogël në arenën ndërkombëtare.
Shembulli më i dukshëm i dobësisë së Kinës shihet në konfliktin me Iranin. Ai ka rritur presionin mbi ekonominë kineze në një kohë kur ajo tashmë po vuan nga ngadalësimi i rritjes.
Me më shumë se gjysmën e furnizimit me naftë që vjen nga Lindja e Mesme, konflikti me Iranin ka zbuluar dobësinë e zinxhirit të furnizimit të Pekinit dhe mund të çojë së shpejti në një rritje prej 15-25 për qind të kostove të energjisë, gjë që do ta ngadalësonte edhe më shumë rritjen e dobët të Kinës.
Pretendimet i Pekinit se nuk do të preket shumë nga kriza iraniane janë thjesht fjalë boshe. Në një kohë kur shpenzimet e konsumatorëve në Kinë janë të dobëta, PBB-ja është në vendnumëro dhe ekonomia kineze po humbet terren shpejt ndaj rivalit më dinamik amerikan, gjëja e fundit që i duhet Xi-sëështë një ndërprerje afatgjatë në Ngushticën e Hormuzit.
Paaftësia e Kinës për të ndihmuar në përfundimin e konfliktit nuk ka kaluar pa u vënë re nga aleatët e saj të dikurshëm në Gjirin Persik. Jo shumë kohë më parë, liderët e Gjirit kërkonin të forconin lidhjet në mbrojtje dhe tregti me Pekinin. Megjithatë, marrëveshja e gjerë tregtare e Kinës me Teheranin e ka kufizuar aftësinë e saj për të vepruar si një ndërmjetës i paanshëm për t'i dhënë fund armiqësive. Si rrjedhojë, roli kryesor i Kinës ka qenë mbështetja e përpjekjeve ndërmjetësuese të Pakistanit.
Kjo qasje vështirë se do t'i nxisë shtetet e Gjirit të vazhdojnë afrimin me Pekinin. Përkundrazi, raportimet se si Arabia Saudite dhe Emiratet kanë ndërmarrë sulme ndaj Iranit gjatë fushatës ushtarake SHBA/Izrael tregojnë se liderët e Gjirit ndihen më rehat duke bashkëpunuar me aleatët e tyre amerikanë.
As efektiviteti shkatërrues i operacionit të përbashkët ushtarak SHBA/Izrael kundër Iranit nuk ka kaluar pa u vënë re nga Ushtria Çlirimtare Popullore e Kinës, e cila, pavarësisht përparimeve të fundit teknologjike, është ende larg fuqisë ushtarake amerikane. Kjo shpjegon pse Xi vazhdon të spastrojë gjeneralët e tij të lartë.
Udhëheqësi kinez mund të ketë ambicie për të marrë Tajvanin, por mbetet e paqartë nëse ai ka mjetet për ta bërë këtë.
Megjithatë, edhe pse dobësia e Pekinit në shumë drejtime është e dukshme, kjo nuk i ka ndalur disa komentatorë të njohur perëndimorë të argumentojnë se është Xi, dhe jo Trump, ai që ka avantazh në bisedimet për marrëveshjet që mund të arrihen gjatë samitit të kësaj jave.
Ish-kryeministri australian Malcolm Turnbull, për shembull, i tha institutit Chatham House më herët këtë javë se, për çështjen kyçe të Tajvanit: "Trump-it i pëlqen të flasë për atë që ka kartat në dorë. Nuk mendoj se Trump e imagjinon që ka shumë karta."Është e vështirë të kuptohet si Turnbull, i cili e konsideron veten të mirinformuar për Kinën, mund të arrijë në një përfundim të tillë, sidomos kur rënia e ndikimit global të Pekinit nuk kufizohet vetëm te çështja e Iranit.
Si një mbështetës i rëndësishëm i asaj që Vladimir Putin e quan "operacioni i posaçëm ushtarak" në Ukrainë, Kina duhet të jetë thellësisht e turpëruar që, pavarësisht avantazheve të mëdha të Rusisë në fuqi njerëzore dhe pajisje, Kremlini ka shumë pak për të treguar pas humbjeve të mëdha që ka pësuar gjatë katër viteve të fundit të luftës.
Kur lufta po shkon aq keq sa rusët nuk mund të përdorin as Paradën vjetore të Ditës së Fitores për të treguar forcën e tyre ushtarake, siç ndodhi fundjavën e kaluar me një ceremoni të reduktuar, Xi duhet të pyesë veten pse vendosi ta mbështesë Putinin.
Sigurisht, nga këndvështrimi i Pekinit, shpresat e Xi-së për të krijuar një aleancë shtetesh autoritare, me Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut që mbështesin përpjekjet kineze për të dobësuar aleancën perëndimore, nuk kanë dhënë efektin që ai dëshironte.
Pozicioni ndërkombëtar i Rusisë dhe Iranit është dobësuar ndjeshëm si në aspektin ushtarak ashtu edhe në atë ekonomik. Është e diskutueshme nëse regjimet në Moskë dhe Teheran do t'u mbijetojnë situatave aktuale.
Ndërkohë, gatishmëria e Phenianit për t'u përdorur si një mjet në planin e Pekinit për dominim global nuk mund të merret më si e mirëqenë, pas humbjeve të mëdha që kanë pësuar trupat koreano-veriore në Ukrainë. Edhe pse ata kanë luftuar për rusët, Kina ishte e përfshirë në vendimin për t'i dërguar atje që në fillim, një veprim që ka sjellë vetëm vuajtje dhe gjakderdhje. Vlerësimet e fundit sugjerojnë se rreth gjysma e 11,000 ushtarëve të Koresë së Veriut të dërguar në Ukrainë janë vrarë ose plagosur.
Nëse rënia e aleatëve autoritarë të Pekinit është një lajm i keq për Xi-në, vizita treditore e Trump-it mund t'i japë atij një mundësi për të rikthyer ndikimin e tij, sidomos nëse mund të japë një kontribut real për zgjidhjen e çështjes së Iranit. Para vizitës, Trump këmbënguli se nuk kishte nevojë për ndihmën e Xi-së për t'i dhënë fund luftës me Iranin.
Megjithatë, mund të jetë ende në interesin e Pekinit që të përdorë ndikimin që ka mbi ajatollahët për t'i dhënë fund rezistencës së tyre të pakuptimtë ndaj marrëveshjes së paqes së propozuar nga Trump dhe për të arritur një marrëveshje që rihap Ngushticën e Hormuzit dhe i jep fund njëherë e përgjithmonë programit bërthamor të Iranit. / The Telegraph – Syri.net