SYRI TV/ Dënohet grupi i trafikut të emigrantëve drejt SHBA-së, 8 vite burg për Luc Melaj

12 vjet burg ka dhënë gjykata e Posaçme për Luc Melaj, drejtuesi i grupit kriminal që trafikonte njerëz drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këmbim të 45 mijë eurove. Gjithashtu janë dënuar edhe anëtarë të tjerë të grupit ku dy prej tyre janë me shërbim prove për një periudhë tre vjeçare.

Syri TV

Gjykata e Posaçme dënoi anëtarët e një grupi kriminal i cili trafikoi shtetas shqiptarë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këmbim të shumave të parave në vlerën e 40-45 mijë dollarë.

Drejtuesi i këtij grupi Luc Melaj u shpall fajtor për  “Grup i Strukturuar kriminal”, “falsifikim dokumentash” , “dhënie ndihme për kalim kufiri në mënyrë të paligjshme” dhe “armëmbajtje pa leje” dhe u dënua me 12 vite burg. Këtij shtetasi iu pushua akuza për ushtrim të ndikimit të paligjshëm për shkak të ligjit për dhënie amnistie

Për shkak të gjykimit me procedurë të shkurtuar, Melaj përfitoi zbritjen e dënimit me 4 vite, duke u dënuar përfundimisht me 8 vite heqje lirie.

Dy anëtarët e tjerë të grupit Emanuel Melaj dhe Gëzim Camaj u dënuan me 6 vite burg dhe përfituan ulje dënimi me 4 vite për “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm kufiri”.

Për të dy ata, treshja e gjyqtarëve e përbërë nga Besmir Stroka, Flojera Davidhi dhe Elsa Ulliri vendosën pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e tyre në shërbim prove për një periudhë 3 vjeçare.

Grupi kriminal ndihmoi 25 shtetas shqiptarë të hynin në mënyrë të paligjshme në SHBA , duke ndjekur itinerarin Shqipëri-Spanjë-Meksikë dhe Shtetet e Bashkuara.

Ata i pajisnin shqiptarët me dokumenta të falsifikuara dhe këta shtetas ishin kryesisht nga veriu i Shqipërisë, konkretisht nga  Malësia e Madhe, Shkodra, Lezha, Tropoja.

Hetimet provuan se Luc Melaj e Gëzim Camaj mundësonin kalimin e qytetarëve gjatë hyrjeve dhe daljeve në Mal të Zi nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kryesisht franceze dhe i gjithë aktiviteti kriminal i kryer prej tyre ishte i mirëorganizuar dhe i ndarë me role konkrete.