Zhupa ngre alarmin për ligjet e investimeve: Po gllabërohet prona publike me ligje klienteliste
Deputetja e PD, Ina Zhupa, gjatë fjalës së saj në Kuvend tha se hyrja e vendit në Bashkimin Evropian nuk arrihet vetëm duke hapur kapituj negociatash, por kërkon një mision më të thellë për të mbyllur hendekun e madh të korrupsionit dhe për të ndalur praktikat që e thellojnë atë çdo ditë.
Ajo kritikoi qeverinë duke u shprehur se në Kuvend janë miratuar një sërë ligjesh që bien ndesh me parimet dhe direktivat e Bashkimit Evropian, si dhe me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Zhupa i cilësoi këto si një paketë ligjore që favorizon, sipas saj, gllabërimin e pronës publike dhe private.
Në fjalën e saj ajo përmendi pesë ligje kryesore: ligjin për investimet strategjike, ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për portet turistike, ligjin e paketës së maleve dhe ligjin për Korporatën Shqiptare të Investimeve. Sipas saj, këto akte ligjore janë përdorur për t’u dhënë përparësi investitorëve të lidhur me qeverinë dhe për të cenuar pronën publike dhe private.
Zhupa argumentoi se ligji për investimet strategjike ka lehtësuar kalimin e pronës publike dhe private në duart e përfituesve të privilegjuar, ndërsa më pas shterimi i tokave bregdetare ka sjellë zgjerimin e këtij modeli edhe drejt zonave malore.
Ajo ngriti shqetësimin se kjo krijon mundësi për cenimin e pronës private dhe rrit pabarazinë mes qytetarëve.
Deklarata e plotë:
"Në fakt në Bashkimin Evropian nuk futesh vetëm sepse hap kapituj, po ka një mision më të madh të mbyllësh gropën e madhe të korrupsionit, për të cilën ju punoni në mënyrë të përditshme ta thelloni çdo ditë duke dhënë një kontribut të pandalshëm.
Ky parlament ka miratuar si në asnjë vend tjetër të Bashkimit Evropian dhe kundër çdo direktive, kundër çdo parimi, kundër kartës themelore të Bashkimit Evropian, kundër marrëveshjes së stabilizim-asociimit, pesë ligje që përbëjnë paketën e gllabërimit të pronës private dhe publike.
Ky parlament ka miratuar në mënyrë klienteliste pesë ligje me porosi, të cilat janë: ligji i investimeve strategjike, ligji i zonave të mbrojtura, ligji i porteve turistike, ligji i paketës së maleve dhe ligji i korporatës të investimeve shqiptare. Të pesë këto ligje janë vjedhje dhe gllabërim i pronës publike dhe private.
Ligji i investimeve strategjike jepte pronën publike duke gllabëruar dhe ca nga ato private me të gjithë benefitet e shtetit tek oligarkët e preferuar të qeverisë.
Kur i mbaruat të gjithë tokat bregdetare me ligjin e investimeve strategjike, i shtuat ligjin e paketës së maleve për të shtrirë gllabërimin e pronave publike, duke shtuar në këtë rast edhe futjen e elementëve të pronës private.
Pra, mund t'i vësh syrin dhe një prone private dhe ta marrësh, ta investosh, sepse i pasuri ka më shumë të drejta në këtë vend se i varfri. Se i pasuri mund të bëhet pronar ndryshe nga ai që e ka pronën trashëguar nga të parët e vet por nuk ka atë pasuri dhe atë lidhje me pushtetin.
Ligji tjetër ishte ligji i zonave të mbrojtura. I vetmi ligj që ju thotë Bashkimi Evropian që duhet ta shfuqizoni, sepse nuk ka më asnjë ndalesë. Mbasi mbaruat detet, kaluat tek malet, ju duheshin dhe zonat e mbrojtura. Dhe bëtë ligjin ku sot kanë hyrë fadromat në Pishporo, mund të hyjnë fadromat kudo nëpër Shqipëri sepse s'ka më zona të mbrojtura. Dhe në fund për ta mbyllur paketën e dhurimit të Shqipërisë si një plaçkë pa asnjë kriter dhe pa asnjë moral, bëtë edhe ligjin e korporatës së investimeve shqiptare.
Ky ligji tjetër dhuron dhe ato që ishin prona publike të cilat do t'u jepeshin oligarkëve për të ndërtuar kryesisht kulla. Siç keni planin në Pallatin e Brigadave, siç keni planin në Pallatin e Kongreseve dhe siç doni të gllabëroni prona shtetërore".