'Korrupsioni po i kushton ekonomisë mbi 1 miliard euro'/ Himçi: Integrimi evropian po paraqitet si trofe

Në një fjalim në Kuvend, deputeti i Partisë Demokratike Blendi Himçi kritikoi qeverinë lidhur me procesin e integrimit evropian, duke e cilësuar atë si të paraqitur “si një trofe suksesesh”, ndërsa sipas tij realiteti tregon probleme të thella në qeverisje, korrupsion dhe zbatimin e reformave.
 
Himçi u ndal edhe te debatet politike, duke deklaruar se mazhoranca dhe kryeministri “kanë frikë nga hija e Sali Berishës”, duke iu referuar edhe vendimit për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha, për të cilin akuzoi ndërhyrje politike ndërkombëtare, dhe George Soros.
 
Duke u fokusuar te procesi i integrimit, ai tha se raportet e qeverisë nuk pasqyrojnë gjendjen reale në vend. Sipas tij, indeksi i korrupsionit i publikuar nga Transparency International tregon përkeqësim të pozicionit të Shqipërisë, ndërsa raportet e Reporterët pa Kufij evidentojnë gjithashtu rënie në lirinë e medias. Ai përmendi edhe gjetje nga Eurostat dhe organizata të tjera, duke pretenduar se korrupsioni dhe varfëria mbeten problematika të thella në vend.
 
Sipas Himçit, miratimi i shpejtë i ligjeve dhe akteve nënligjore po krijon “inflacion ligjor”, pa sjellë efekte reale në ekonomi apo në funksionimin e institucioneve. Ai kritikoi gjithashtu edhe reformën në drejtësi, duke pretenduar se ende nuk ka rezultate konkrete në ndjekjen penale dhe dënimet përfundimtare.

Himçi:

Nga diskutimi i Ulsiut, vetëm një gjë bie dakord, që Sali Berisha është dinosaur politik. Si ti, dhe kryeministri yt, keni frikë nga hija e Sali Berishës. Dhe atë që ju bëtë para katër vitesh, në bashkëpunim me George Soros, për vendosjen e non-gratës ndaj Sali Berishës, kundrejt baltës dhe llumit, siç thoni, duke shpifur ndaj kësaj figure historike për Shqipërinë, do të zhbëhet shumë shpejt Ulsi dhe të garantoj që buzëqeshja do të ngecë në grykë.

Por t'i rikthehemi çështjes së integrimit, se kjo është shumë e rëndësishme. Nga raporti i Këshillit të Ministrave, i prezantuar në Kuvend, faktikisht procesi i evropian i integrimit na u paraqit si një trofe suksesesh, aq sa dhe Petrit Lulo do ta kishte zili me këngën e tij lart e më lart flamujt e kongresit, beteja fitore përpara na presin. Dhe t'i kthehemi aspektit të realitetit, ku sigurisht, nëse flitet për progres-raport, unë do t'i nis cross-ekzaminimin nga institucionet ndërkombëtare, por jo vetëm ndërkombëtare, por edhe ato të brendshme. Faktikisht, indeksi i perceptimit të korrupsionit të të Transparency International të 2025-ës shënon me 11 vende rënie.

Reporterët pa kufij për vitin 2025 evidenton një rënie prej tre vendesh. Altax zbulon se korrupsioni në Shqipëri i kushton ekonomisë shqiptare nga 852 milionë euro deri në 1.1 miliardë euro. 40% e prokurimeve janë me flamur të kuq. Kjo e konstatuar nga Open Procurement Albania. 42 deri në 44% në rrezik varfërie, konstaton Eurostat. Dhe të gjitha këto fakte i mungonin këtij raporti. Faktikisht, gjatë këtyre 16 muajve, ne kemi pasur 222 akte të miratuara. Nga këto 23 ligje dhe 199 akte nënligjore. Jemi në një inflacion ligjor. Jemi në një turravrap për të kapur në emër të integrimit evropian dhe përafrimit me legjislacionin shqiptar, pa analizuar aspak efektet që do të kenë këto ligje, qoftë në ekonominë shqiptare, qoftë në jetën sociale, qoftë në jetën politike, por qoftë edhe në aspektin ligjor.

Po ju jap disa raste. Beklogu i dosjeve vazhdon dhe rritet pavarësisht asaj që trumbetohet si një reformë, reforma në drejtësi si një triumf suksesi. Faktikisht, në gjuhën juridike quhet output inflation, që do të thotë prodhimi i dokumentave të zëvendësojë rezultatet. Dhe sigurisht që Bashkimi Evropian nuk i referohet vetëm përafrimit në legjislacion, por duhet parë dhe implementimi i këtyre ligjeve, gjë që Shqipëria sot vuan.

Track record i kërkuar nga BE ende nuk është krijuar. Kushtet e ndërmjetme kërkojnë rezultate të matshme dhe të qëndrueshme në ndjekjen penale, dënime të formës së prerë dhe reformë institucionale, dhe jo vetëm miratim aktesh. Ju flisni për SIGMA-n, por SIGMA nuk qëndron, pasi SIGMA nuk mat korrupsionin real, por ekzistencën e kuadrit ligjor. Një problematikë shumë e madhe do të thoja, pavarësisht minutazhit të shkurtër, është çështja, kapitulli 27, mjedisi dhe klima. Dhe Shqipëria realisht do të ketë një problematikë të thellë pasi ligjet e miratuara nuk janë aspak reale me koherencën e saj.