AKU i mbyll aktivitetin 'SORI-AL': Studentët e Akademisë së Sigurisë u helmuan nga makaronat me...
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka bërë të ditur rezultatet e analizave laboratorike lidhur me rastin e dyshuar të helmimit të kursantëve pranë Akademisë së Sigurisë.
Sipas njoftimit zyrtar, AKU ka marrë në analizë nëntë mostra, përfshirë lëndë të para dhe produkte të gatshme ushqimore. Nga analizat e kryera në laboratorin e referencës ISUV, tetë mostra kanë rezultuar brenda normave, ndërsa një kampion makarona, produkt i gatshëm i kampionuar në kuzhinën e Akademisë së Sigurisë, ka dalë jokonform.
Sipas AKU-së, mostra ka rezultuar me ngarkesë mbi normë të bakterit Escherichia Coli dhe B. staphylococcus koagulaze pozitive.
Pas këtyre gjetjeve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka marrë masën e ndërprerjes së aktivitetit në ambientet e kuzhinës së Akademisë së Sigurisë deri në përmbushjen e kërkesave ligjore për pastrim dhe dezinfektim.
Në vijim të hetimit dhe gjurmueshmërisë së produkteve, kontrollet janë shtrirë edhe në adresën Garnizoni “Skënderbej” pranë Forcat e Armatosura të Shqipërisë, ku dyshohet se janë prodhuar produktet ushqimore.
Referuar konstatimeve të institucioneve shëndetësore dhe raportit përfundimtar të hetimit epidemiologjik, AKU ka vendosur ndërprerjen e aktivitetit edhe për subjektin SORI-AL në ambientet e Garnizonit “Skënderbej”.
Gjithashtu, subjektit i është vendosur një gjobë administrative prej 1.5 milionë lekësh për tregtim ushqimi të pasigurt dhe shkelje të kushteve higjieno-sanitare.
AKU ka urdhëruar gjithashtu marrjen e masave për asgjësimin e produktit të bllokuar që rezultoi jokonform nga analizat laboratorike.