'Kuvendi përdoret për mbrojtjen e aferave'/ Këlliçi: Rama paraqitet vetëm kur rrezikohen oligarkët dhe ministrat
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, në një postim në rrjetet sociale shkruan se kryeministri Edi Rama po e shmang në mënyrë të përsëritur Kuvendin, duke mos marrë pjesë në seancat parlamentare dhe debatet që lidhen me çështje të rëndësishme për vendin, përfshirë integrimin europian.
Sipas Këlliçit, mungesa e Ramës në Parlament është tregues i “mungesës së kurajos” për t’u përballur me opozitën dhe për të dhënë llogari mbi qeverisjen e tij.
Deputeti demokrat thekson se në demokracitë europiane dhe në vendet e rajonit, kryeministrat e kanë pjesë të rëndësishme të detyrës së tyre paraqitjen në Kuvend dhe përballjen me debatet politike.
Në reagimin e tij, Këlliçi tha se Rama paraqitet në Parlament vetëm në rastet kur bëhet fjalë për mbrojtjen e interesave korruptive apo të ashtuquajturve “oligarkë” dhe “investitorë strategjikë”.
Ai përmend edhe votimin e ndryshimeve në Ligjin për Shtetësinë, duke pretenduar se ato i hapin rrugë pajisjes me pasaporta shqiptare të personave të dyshimtë të lidhur me interesa klienteliste.
Deklarata e plotë:
Do të jetë aty, sa herë korrupsioni ta kërkojë!
Edi Rama mungoi edhe sot në Parlament, ku u paraqit raporti dhe ku ishte parashikuar debati për integrimin europian.
Kryeministrat në rajonin tonë, në Europë e kudo, paraqitjen në Kuvend, llogaridhënien atje, përgjigjet dhe shpjegimet, i kanë pjesë të rëndësishme të punës, të angazhimit javor.
Dhe politika e debatet e forta sigurisht që ndodhin aty.
Edi Rama e shmang Kuvendin duke shkelur rregulat dhe Kushtetutën në mënyrë të përsëritur.
Ai mendon se kështu dëmton opozitën, por në fakt konfirmon në sytë e publikut mungesë kurajo dhe pamundësi për t’u përballur me pasojat e qeverisjes së tij.
Eshtë bërë e qartë se Edi Rama nuk mungon, kur korrupsioni e kërkon. Ai ishte prezent dhe mbrojti aferat e tij dhe të Ballukut me pasion të madh e sigurisht dhe me votë.
Ishte aty kur duhej të kalonin ndryshimet në Ligjin për Shtetësinë që i hapin rrugë dhënies së pasaportës atyre klientëve të tij të dyshimtë që na shfaqen më pas si investitorë trategjikë.
Për oligarkët dhe interesat e tyre, paraqitet në Kuvend.
Eshtë tanimë zyrtare.
Ai nuk është në atë post për qytetarët e për të mbrojtur interesat e tyre. Eshtë partner i oligarkëve e strategjikëve, është kumbar i krimit dhe avokat i korrupsionit.
Ndaj, sa herë këta të kenë nevojë për apologjinë dhe votën e tij, Edi Rama do të jetë në Kuvend. Asnjëherë tjetër.
Nëse së shpejti, SPAK do sjellë një kërkesë tjetër në Kuvend për imunitetin e Ballukut pas zgjerimit të hetimit, apo për të tjerë ministra a deputetë të rilindjes, ajo do të jetë dita kur
Edi Rama do të paraqitet në parlament, për të mbrojtur korrupsionin dhe aferat e tij!