Denoncimi në Kuvend/ Bozdo: Raporti amerikan zbardh të vërtetat tronditëse për ekonominë shqiptare

Seanca parlamentare është kthyer në një arenë debati të ashpër mbi klimën e investimeve në vend, pas diskutimit me pesë muaj vonesë të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit. Deputeti i opozitës, Eno Bozdo, e cilësoi raportin një "alarm të kuq" që ekspozon "të vërteta tronditëse" për gjendjen e ekonomisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri.

Sipas zotit Bozdo, raporti i DASH konstaton se ekonomia shqiptare mbetet ekstremisht e brishtë për shkak të korrupsionit të përhapur, krimit të organizuar, konkurrencës së shtrembëruar dhe një sektori masiv informal. Ai theksoi se këto nuk janë thjesht sfida, por "shkaqet kryesore pse Shqipëria sot nuk zhvillohet", duke përmendur se Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë është vetëm një e katërta e mesatares së Bashkimit Evropian.

Eno Bozdo: Faleminderit zoti kryetar. Të nderuar kolegë. Ky debat i sotëm me pesë muaj vonesë, në fakt për raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, është absolutisht i vonuar nga ana e kalendarit të kuvendit, po pavarësisht saj dhe për fat të keq për Shqipërinë, mbetet tema më e nxehtë, sepse raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit jo vetëm i vë pikat mbi i, po ekspozon përpara shqiptarëve disa të vërteta tronditëse.

Raporti ekspozon çështje, të cilat lidhen ngushtësisht edhe me procesin e integrimit evropian, sepse prekin shtetin ligjor, rendin, sigurinë, funksionimin e gjyqësorit dhe aspekte shumë të rëndësishme të funksionimit të demokracisë në Shqipëri.

Së pari, raporti thotë qartë se ekonomia shqiptare mbetet ekstremisht e ndjeshme ndaj korrupsionit të përhapur, krimit të organizuar, konkurrencës së shtrembëruar, sektorit informal gjigand, mungesës së fuqisë punëtore për shkak të emigracionit masiv dhe produktivitetit të ulët të punës. E këto nuk janë sfida, të nderuar zotërinj, po janë shkaqe kryesore pse Shqipëria sot nuk zhvillohet.

PBB-ja për frymë, prodhimi i brendshëm për frymë në Shqipëri, është vetëm 1/4 e mesatares së vendeve të Bashkimit Evropian. Pas më shumë se 12 vitesh qeverisje, ajo që na thuhet nga ana juaj është që është trashëgimi e të kaluarës. Po në fakt nuk është kështu. Shqipëria ka qenë shumë herë më mirë në raport me fqinjët dhe me Bashkimin Evropian 13 vite më parë. Raporti amerikan thotë diçka tjetër, që këtu është dështuar në mënyrë sistematike për reforma të thella strukturore, për të cilat vendi ka nevojë në mënyrë urgjente.

Ligji për investimet e huaja, i reklamuar si revolucion, ka dështuar plotësisht. I zgjatur disa herë, për herë të fundit tani deri në fund të vitit 2026. Por ndërkaq, ka miratuar më shumë se 60 projekte klienteliste, përgjithësisht në sektorin e real estate, pra të ndërtimit, përgjithësisht duke kontribuar mjaftueshmërisht betonizimin e bregdetit shqiptar, të cilat nuk kalojnë nëpërmjet ligjit të koncesioneve, por kalojnë nëpërmjet konceptit dhe rrugës së shtruar të investitorëve strategjikë, njerëz shumë të afërt e të ngushtë me partinë në pushtet dhe me kryeministrin.

Shqipëria sot nuk ka mekanizëm skrinimi për investimet e huaja, thuhet kjo edhe në deklaratën e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Evropian. Ndërkaq, investitorët flasin hapur për korrupsion në administratë, gjyqësor dhe prokurime publike. Konkurrencë e padrejtë nga bizneset e lidhura me politikën dhe me paratë e pista, ekonomi informale masive, pastrim parash, ndryshime të shpeshta fiskale, probleme me pronën, zbatim të dobët të kontratave. Raporti thekson se komuniteti i biznesit raporton shantazhe nga administrata publike, nga media dhe nga grupet kriminale. Kjo është një situatë e turpshme për një vend, i cili synon të bëhet vend i Bashkimit Evropian.

Emigracioni i të rinjve dhe punëtorëve të kualifikuar ka krijuar një krizë të rëndë të fuqisë punëtore. Ajo që shihet nga shitet nga kryeministri si një liri lëvizje, praktikisht është një braktisje masive e vendit për shkak të mundësisë së ë mungesës së mundësive në Shqipëri. Prokurimet publike janë të infektuara nga korrupsioni. Kontratat PPP janë kthyer në mjet për të mbyllur tregun, për të favorizuar oligarkët e lidhur me pushtetin dhe për të ulur konkurrencën, përfshirë atë të investitorëve të huaj. Madje disa investitorë amerikanë kanë përfunduar në arbitrazh ndërkombëtar kundër shtetit shqiptar. Cili është mesazhi që i japim komunitetit të biznesit dhe aq më tepër një vendi mik si Shtetet e Bashkuara? Dhe së fundmi, të drejtat e pronësisë, një plagë e hapur. Titulli i pronës ende i pasigurt, kompensimi për pronat e konfiskuara përgjithësisht çalon dhe atje ku ndodh, edhe me burim korrupsioni. Ky raport nuk është paralajmërim, është një alarm i kuq. Nëse nuk merren veprimet e menjëhershme, të adresojnë këto çështje dhe t'i japin zgjidhje çështjes së integrimit evropian...