Xi e quan marrëdhënien me SHBA-në 'më të rëndësishmen në botë', Trump e fton në Shtëpinë e Bardhë
Gjatë vizitës së tij në Pekin, presidenti amerikan Donald Trump u prit me ceremoni madhështore nga homologu i tij kinez, Xi Jinping. Në një banket zyrtar, Xi e cilësoi marrëdhënien SHBA–Kinë si “më të rëndësishmen në botë”, ndërsa Trump e përshkroi atmosferën si “jashtëzakonisht pozitive”, ndërsa ftoi Xi dhe bashkëshorten e tij për një vizitë në Shtëpinë e Bardhë më 24 shtator.
Gjatë bisedimeve, dy liderët diskutuan mbi tregtinë, energjinë, Iranin, tarifat dhe Tajvanin. Shtëpia e Bardhë njoftoi se të dy vendet ranë dakord që Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe se Ngushtica e Hormuzit duhet të mbetet e hapur për transportin global të energjisë.
Kina i rezervoi Trump një pritje të veçantë me vizita kulturore dhe banket luksoz, ku morën pjesë edhe figura të njohura si Elon Musk dhe drejtues të kompanive amerikane. Megjithatë, pavarësisht toneve miqësore, mbeten dallime të thella mbi tarifat, teknologjinë dhe çështjen e Tajvanit.
Vizita ndodh në sfondin e luftës në Iran, e cila ka shkaktuar krizë energjetike globale. SHBA kërkon që Kina të luajë rol në rikthimin e Iranit në tryezën e negociatave.