Berisha: Lubia po i tregon PS-së se është zoti i vërtetë i saj, është bërë si Pilari që merr çdo vendim
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se moskalimi i raportit IBAR lidhet drejtpërdrejt me problematikat e drejtësisë, korrupsionit dhe bllokimit të integrimit europian të Shqipërisë.
Gjatë një komunikimi me gazetarët, Berisha akuzoi kryeministrin Rama dhe Belinda Ballukun për kapjen e pushtetit dhe kontrollin e vendimmarrjes në Partinë Socialiste.
Ai u shpreh se qeveria nuk ka interes për integrimin europian të vendit, por vetëm për ruajtjen e pushtetit dhe pasurimin e një grupi të vogël njerëzish.
Deklarata e plotë:
Gazetarët: Z. Berisha, sa i takon raportit IBAR, ditën e djeshme u tha që nuk është votuar. Nga komunikimet tuaja që keni me Brukselin, çfarë mendoni se janë problematikat për moskalimin e këtij raporti dhe cilat janë vende dhe sa është numri i tyre?
Sali Berisha: Tani, çështje që kanë dalë, nuk ka diskutim që bllokimi i drejtësisë, sepse IBAR është për dy kapitujt, në të dy kapitujt është drejtësia, të drejtat e njeriut, siguria dhe korrupsioni, nuk janë çështje të tjera në standardet e ndërmjetme, të cilat janë të domosdoshme për të kaluar në fazë tjetër.
Pra, absolutisht është Lubia dhe Edi Rama.
Është fakti tjetër se, ju mund të thoni ai e hoqi atë. Çfarë e hoqi? Ajo është bërë de facto kryeministre në hije. Absolutisht!
Ua tregova atë historinë e Pilarit unë? Lexoni pak ‘Për kë bien kambanat’, Pablo është një pijanec i degraduar, komandanti, i cili ka humbur të gjithë autoritetin për të komanduar çetën. Të gjithë komandën e merr Pilari, ishte e shoqja. Pilari ishte vendimmarrësja kryesore në çdo gjë.
Pak a shumë ç’është e vërteta, me një dallim se ajo ishte një çetë që luftonte, kurse këta luftojnë për hajni, por në kuptimin e roleve, pak a shumë këtu ka përfunduar Shqipëria.
Pra, i ka marrë Lubia të gjitha frenat. Merret me takime, merret me urdhra.
A e patë ju? E kishte marrë Ulsiun në Dibër. A e patë dje, apo jo? Le të mos e marrë po të dojë, se e ka dosjen kaq Ulsiu të përgatitur nga Oltion Bistri.
Gazetarët: Rastistën në Fier dhe bënë një foto?
Sali Berisha: Jo mo ça rastisën, ajo e kishte marrë Ulsiun me vete. Ajo po i tregon PS-së se është zoti i vërtetë i saj.
Dhe këtë mos kujtoni se nuk e vënë re të tjerët. Këtë e vënë re të gjithë, e vënë re edhe ata.
Pra, ky jo që nuk e hoqi, por i dha një rol më të lartë.
Ky nuk do integrimin sepse kuptohet se Rama, Lubia dhe një grusht hajdutësh nuk duan integrimin, duan pasurimin e tyre.
ZYRA E MEDIAS DHE KOMUNIKIMIT, PARTIA DEMOKRATIKE