Fundi te Barcelona? Lewandowski tundohet nga oferta ‘galaktike’ e Al-Hilal

Robert Lewandowski mund të jetë pranë një largimi surprizë nga Barcelona, pasi sulmuesi polak ka marrë një ofertë marramendëse nga Arabia Saudite.

Sipas raportimeve të fundit, gjiganti saudit Al-Hilal ka paraqitur një propozim zyrtar për 37-vjeçarin dhe po shtyn fort për ta transferuar gjatë merkatos së verës.

Klubi nga Riadi synon të shtojë një tjetër superyll botëror në repartin ofensiv dhe Lewandowski shihet si objektivi ideal.

Burime pranë negociatave bëjnë me dije se ish-sulmuesi i Bayern Munich është shumë pranë pranimit të ofertës, e cila do t’i jepte fund aventurës së tij në La Liga pas disa sezonesh me fanellën blaugrana.

Oferta financiare konsiderohet një nga më të mëdhatë e ofruara ndonjëherë për një futbollist veteran.

Al-Hilal raportohet se i ka ofruar Lewandowskit rreth 90 milionë euro në sezon, një shifër që tejkalon ndjeshëm pagën e tij aktuale në Kataloni.

Në garë për sulmuesin polak ishin përmendur edhe Juventus, Milan dhe skuadra amerikane Chicago Fire, por klubi saudit duket se ka marrë avantazhin vendimtar falë fuqisë financiare.

Deklarata e fundit e Lewandowskit, ku pranoi se “i kanë mbetur vetëm edhe 50 ditë kontratë”, ka shtuar edhe më shumë spekulimet për largimin e tij nga Barcelona.

Megjithëse më herët u raportua se çështjet gjeopolitike mund ta pengonin një transferim në Lindjen e Mesme, duket se oferta rekord ka ndryshuar gjithçka.