Barcelona nuk i arrin dot 100 pikët, Alaves i prish objektivin

Barcelona është mposhtur 1-0 nga Alavés në stadiumin “Mendizorroza”, në një sfidë ku vendasit morën tri pikë jetike në luftën për mbijetesë.

Kampionët e La Ligës, që e kishin siguruar titullin një javë më parë, u paraqitën me tetë ndryshime në formacion dhe kjo ndikoi dukshëm në lojën e tyre.

Skuadra vendase e nisi takimin me shumë intensitet, duke kërkuar golin që në minutat e para, ndërsa katalanasit nuk arritën të krijonin ritmin e zakonshëm.

Edhe pse rastet nuk munguan, të dy ekipet shfaqën mungesë qartësie para portës dhe deri në minutën e 30-të nuk pati asnjë goditje në kuadrat.

Momenti vendimtar erdhi në fundin e pjesës së parë, kur Ibrahim Diabate përfitoi nga një shpërqendrim i mbrojtjes së Barcelonës dhe realizoi një volej spektakolar për 1-0, duke ndezur festën në tribuna.

Në pjesën e dytë, Alavés u tërhoq në mbrojtje dhe u organizua mjaft mirë me pesë lojtarë në vijën e fundit.

Portieri Wojciech Szczesny shmangu golin e dytë pas një pritjeje të rëndësishme ndaj Diabate, ndërsa Barcelona shtoi presionin në minutat e fundit, por pa sukses.

Kjo humbje i dha fund serisë prej 11 fitoresh radhazi të Barcelonës në kampionat, ndërsa Alavés regjistroi triumfin e parë ndaj katalanasve pas tetë vitesh dhe u ngjit në vendin e 15-të me dy javë nga fundi i sezonit.

Barcelona me këtë humbje nuk arriti dot objektivin të grumbullonte 100 pikë, pasi ka 91 kur kanë mbetur vetëm 2 ndeshje për t’u luajtur.