Lajme në pak minuta: Çfarë po ndodh në botë
Xi Jinping paralajmëron se SHBA-ja dhe Kina mund të "bien në konflikt" nëse çështja e Tajvanit nuk trajtohet siç duhet
Takimi mes Donald Trump dhe Xi Jinping në Pekin u dominua nga tensionet për Tajvanin, tregtinë, inteligjencën artificiale dhe luftën në Iran, ndërsa Xi paralajmëroi se SHBA-ja dhe Kina mund të “përplasen apo edhe të hyjnë në konflikt” nëse çështja e Tajvanit menaxhohet gabim.
Xi theksoi se marrëdhënia mes dy superfuqive është kyçe për stabilitetin global dhe kërkoi shmangien e asaj që quhet “Kurthi i Tukididit”, ideja se rivaliteti mes një fuqie në ngritje dhe një fuqie dominuese mund të çojë në luftë.
Nga ana tjetër, Trump u shfaq shumë miqësor me liderin kinez, duke e quajtur “një lider të madh” dhe duke deklaruar se marrëdhënia SHBA-Kinë “do të jetë më e mirë se kurrë”.
Kanadaja ofron akses falas në parqet e saj kombëtare këtë verë
Kanadaja do të ofrojë hyrje falas në të gjitha parqet kombëtare gjatë verës, nga 19 qershori deri më 7 shtator, duke përfshirë edhe vendet historike kombëtare dhe zonat detare të mbrojtura që menaxhohen nga “Parks Canada”.
Përveç hyrjes pa pagesë, turistët do të përfitojnë edhe 25% ulje për kampingjet dhe akomodimet, si kabina, jurta, shtëpi historike apo ambiente tradicionale, çka e bën udhëtimin shumë më ekonomik për vizitorët.
Programi po shihet edhe si një kundërpërgjigje ndaj politikave të reja në SHBA, ku disa parqe kombëtare po tarifojnë turistët e huaj me pagesa shtesë.
Sulmi rus ndaj Kievit vazhdon gjatë natës, duke vrarë të paktën një person
Rusia vazhdoi sulmet ndaj Kievit edhe gjatë natës, vetëm pak orë pas një tjetër bombardimi masiv gjatë ditës, duke vrarë të paktën një person dhe duke lënë të plagosur mbi 16 të tjerë.
Sulmet me dronë dhe raketa goditën disa zona të kryeqytetit ukrainas, duke dëmtuar pallate banimi, qendra biznesi dhe infrastrukturë civile, ndërsa ekipet e shpëtimit nxorën njerëz nga rrënojat.
Sipas presidentit Zelensky, Moska po përdor një strategji të re sulmesh të kombinuara ditë-natë me qindra dronë, taktikë që pritet të rrisë edhe më shumë dëmet ndaj civilëve.
Nxehtësia mund të vërë në rrezik shëndetin dhe performancën e lojtarëve të Kupës së Botës
Një raport i ri nga organizata shkencore “World Weather Attribution” paralajmëron se temperaturat ekstreme gjatë Kupës së Botës 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë mund të rrezikojnë seriozisht shëndetin dhe performancën e lojtarëve, por edhe sigurinë e tifozëve.
Shkencëtarët thonë se ndryshimet klimatike kanë dyfishuar rrezikun e vapës së rrezikshme në disa stadiume krahasuar me Botërorin e vitit 1994.
FIFA ka vendosur pushime të detyrueshme për hidratim gjatë ndeshjeve, por ekspertët paralajmërojnë se kjo mund të mos mjaftojë, sidomos në stadiume si Miami apo Dallas, ku nxehtësia pritet të arrijë nivele që mund të shkaktojnë probleme serioze shëndetësore.