Përmbysje e madhe e Sevilla-s në LaLiga, mposht Villarrealin dhe largohet nga zona e rrezikut
Sevilla ka marrë një fitore shumë të rëndësishme në garën për mbijetesë në LaLiga, duke përmbysur rezultatin dhe triumfuar 3-2 në transfertë ndaj Villarrealit.
Skuadra andaluziane e nisi ndeshjen nën presion, por u gjend shumë shpejt në disavantazh. Në minutën e 13-të, Gerard Moreno finalizoi një aksion të shpejtë të Villarrealit, duke kaluar vendasit në avantazh.
Problemet për Sevilla-n u shtuan në minutën e 20-të, kur Mikautadze realizoi golin e dytë për “Nëndetësen e Verdhë”, pas një aksioni të bukur të ndërtuar nga Nicolas Pépé dhe Alberto Moleiro.
Megjithatë, miqtë reaguan para pushimit. Në minutën e 36-të, Lucien Agoumé dha një pasim perfekt për Oso-n, i cili u shkëput nga mbrojtja dhe ngushtoi diferencën me një gol të bukur.
Sevilla nuk u ndal dhe në kohën shtesë të pjesës së parë arriti barazimin, kur Kike Salas finalizoi saktë një aksion të ndërtuar nga Rubén Vargas.
Në pjesën e dytë, ndeshja u bë edhe më e luftuar, me të dyja skuadrat që kërkonin golin vendimtar. Villarreali rrezikoi disa herë, por portieri Odysseas Vlachodimos reagoi mirë në disa situata të rrezikshme.
Megjithatë, goditja finale erdhi nga Sevilla. Në minutën e 72-të, Akor Adams përmbysi rezultatin me një goditje të fortë brenda zonës, duke heshtur stadiumin “La Cerámica”.
Në fund, Villarreal u përpoq të rikthehej në lojë, por Sevilla mbrojti me sukses avantazhin dhe mori tri pikë shumë të vlefshme, duke u larguar ndjeshëm nga zona e rrezikut në LaLiga.