VIDEO/ Osmani akuza Kurtit: Bisedoi me orë të tëra me Vuçiçin, por askush nuk e di çfarë ka folur
Ish-presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në një takim me elektoratin në fushatën për zgjedhjet e 7 qershorit, ka akuzuar kreun e Vetëvendosjes Albin Kurti se ka qëndruar për orë të tëra vetëm me presidentin serb, Aleksandër Vuçiç dhe nuk ka treguar asgjë se çfarë është biseduar.
‘Prej një viti po flitet për atë që kam thënë unë. Por pyetja nuk është çfarë kam thënë unë në një takim që ka qenë publik, në prani të dhjetëra personave. Pyetja është: çfarë ka diskutuar ai vetëm me Vuçiqin dhe Lajçakun, në një dhomë ku nuk ka qenë askush tjetër? Çfarë është folur aty? A e dini ju? As unë nuk e di.
Presidenti i Republikës së Kosovës, si është e mundur të mos i informojë qytetarët për atë që është diskutuar? Ka ekzistuar Parlamenti. A ju ka informuar ndonjëherë ju si opozitë? Kurrë.
Prandaj, a nuk mendoni se kanë detyrim të dalin para qytetarëve dhe të shpjegojnë se çfarë është diskutuar në atë takim të mbyllur? Në një dhomë vetëm ata tre: kryeministri i Kosovës, presidenti i Serbisë dhe emisari europian, Miroslav Lajçak. Çfarë kanë diskutuar? Kjo është pyetja thelbësore.
Unë e kam transkriptin e asaj që kam diskutuar, si edhe incizimin, dhe do ta publikoj. Ndërsa në parlamentin e ardhshëm do të kërkoj ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të zbardhur çfarë është diskutuar në ato takime.
Kjo është pyetja kryesore: çfarë është fshehur nga qytetarët?’, tha Vjosa Osmani gjatë fjalës së saj.