Tajvani me sytë nga takimi Trump-Xi: A do të vërë në provë Kina vendosmërinë e SHBA-së?

Nga Fox News

Takimet e presidentit amerikan Donald Trump me liderin suprem të Kinës komuniste Xi Jinping në Pekin po ndiqen me shumë vëmendje në Tajvan, nga zyra presidenciale te qendrat e komandës ushtarake dhe bordet drejtuese të kompanive të gjysmëpërçuesve. Pyetja kryesore që shtrohet është nëse Trump do të negociojë me Kinën nga një pozicion force apo do ta lërë Tajvanin të ekspozuar.

Ky shtet de facto i pavarur me 23 milionë banorë jeton prej dekadash nën kërcënimin e Partisë Komuniste Kineze, e cila e konsideron Tajvanin territor të saj, edhe pse nuk e ka qeverisur asnjëherë.

Vëzhguesit paralajmërojnë se Xi mund t’i ofrojë Trumpit një marrëveshje: bashkëpunim për tarifat, fentanyl, aksesin e bizneseve amerikane në Kinë apo çështje globale si Irani dhe Ukraina, në këmbim të pranimit nga SHBA të një roli më të madh kinez në të ardhmen e Tajvanit.

Zv.ministri i Jashtëm i Tajvanit, Francois Ëu, deklaroi së fundmi për Bloomberg: “Ajo që kemi më shumë frikë është që Tajvani të vendoset në tryezën e bisedimeve mes Xi Jinping dhe presidentit Trump.”

Ndërsa profesori Huang Këei-bo nga Universiteti Kombëtar Chengchi tha për Fox Neës “Tajvani nuk duhet ta përjashtojë mundësinë që Shtetet e Bashkuara dhe Kina të arrijnë një mirëkuptim prapa skenave, duke rënë dakord të reduktojnë shitjet e armëve për Tajvanin ose të jenë më pak aktive në mbështetjen e pjesëmarrjes sonë domethënëse në arenën ndërkombëtare.”

Në komentet e bëra të hënën, Trump pranoi se Kina kundërshton shitjet amerikane të armëve për Tajvanin dhe tha se kjo do të jetë “një nga shumë temat” që do të diskutojë.

Gjatë javës së fundit, mbi 50 avionë ushtarakë kinezë kaluan vijën ndarëse të Ngushticës së Tajvanit ose hynë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të ishullit. Në Tajvan, këto veprime shihen gjithnjë e më shumë si pjesë e një presioni të vazhdueshëm që nuk arrin nivelin e luftës, por e mban ushtrinë në gatishmëri të përhershme. Kina akuzohet gjithashtu se dëmton kabllot nënujore të internetit, sulmon sistemet kompjuterike tajvaneze dhe mbush rrjetet sociale me propagandë pro-komuniste.

Industria tajvaneze e gjysmëpërçuesve mbetet një shqetësim madhor për Uashingtonin. Në ishull ndodhet ‘Taiëan Semiconductor Manufacturing Company’, prodhuesi kryesor në botë i çipave më të avancuar, të përdorur në telefonë inteligjentë, automjete, inteligjencë artificiale dhe teknologji ushtarake amerikane. Çdo konflikt ose bllokadë ndaj Tajvanit do të kishte pasoja të mëdha për fabrikat, kompanitë teknologjike dhe planifikimin ushtarak amerikan.

Megjithatë, pavarësisht takimit mes dy liderëve më të rëndësishëm, në ishull nuk ka shenja paniku.

Partitë kryesore politike në Tajvan kanë dallime të mëdha në qasjen ndaj Kinës, por në përgjithësi mbështesin blerjet e armëve nga SHBA dhe bien dakord se Pekini përbën kërcënim për demokracinë tajvaneze.

Zyrtarët kinezë këmbëngulin se statusi i Tajvanit është “çështje e brendshme” e Kinës. Qeveria e zgjedhur e Tajvanit e kundërshton, ashtu si shumica e tajvanezëve, të cilët besojnë se vetëm ata duhet të vendosin për të ardhmen e tyre.

Profesori i asociuar Paul Lee nga Universiteti Kombëtar Pingtung tha se Xi Jinping pritet të ushtrojë presion të madh ndaj Trump për çështjen e Tajvanit. Sipas tij, Xi dëshiron që SHBA të kalojë nga formulimi aktual “nuk e mbështet pavarësinë e Tajvanit” në “kundërshton pavarësinë e Tajvanit”.

Lee theksoi se kjo ndryshon shumë për Pekinin dhe do të konsiderohej një fitore e madhe për Xi. Ai shtoi se Trump mund të mos e konsiderojë Tajvanin aq të rëndësishëm, përveç rolit të tij në prodhimin e çipave dhe të ardhurave nga shitja e armëve.

Sipas tij, një ndryshim i tillë do të ishte goditje për partinë në pushtet në Tajvan dhe për ata që mbështesin idenë se ishulli nuk është pjesë e Kinës, pasi do të nënkuptonte se SHBA nuk mbështet të drejtën e tajvanezëve për vetëvendosje.

Lee shtoi se Xi nuk do të kënaqej vetëm me deklarata simbolike nga Trump, por do të kërkonte një kuadër të ri marrëdhëniesh SHBA-Kinë për Tajvanin, përfshirë kufizime si ndalimi i tranzitit të presidentit tajvanez Lai Ching-te në territorin amerikan.

Ai theksoi se Kina po pret prej kohësh një moment të favorshëm dhe se lufta në Iran, tarifat dhe problemet e tjera me të cilat përballet Trump mund të krijojnë pikërisht këtë mundësi.

Paul Lee tha se qeveria dhe komuniteti akademik në Tajvan do të analizojnë me shumë kujdes përkthimet zyrtare të asaj për të cilën të dyja palët “bien dakord”.

“Ta themi thjesht,” u shpreh Lee, “nëse Xi Jinping pranon ta ndihmojë Donald Trump duke ia lehtësuar situatën, Xi nuk do të kënaqet me deklarata zyrtare të paqarta dhe të koduara. Ai do të kërkojë të shohë fillimin e një kuadri të ri SHBA-Kinë për mënyrën e trajtimit të çështjes së Tajvanit.” /Fox News/