Netanyahu vizitë sekrete në Emiratet e Bashkuara Arabe, takoi presidentin e vendit
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka zhvilluar së fundmi një vizitë sekrete në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku është takuar me presidentin e vendit, Mohammed bin Zayed Al Nahyan, sipas burimeve të cituara nga CBS News.
Më vonë, zyra e Netanyahut e konfirmoi udhëtimin përmes një deklarate, duke thënë se vizita ‘çoi në një përparim historik në marrëdhëniet mes Izraelit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe’.
Zëdhënësit e Emirateve të Bashkuara Arabe nuk dhanë menjëherë koment lidhur me raportimet.
Lajmi për vizitën vjen pas një raportimi të The Wall Street Journal, sipas të cilit Emiratet kryen sulme ushtarake ndaj Iranit muajin e kaluar. Emiratet nuk e kanë pranuar publikisht një veprim të tillë.
Izraeli ka dërguar sisteme të mbrojtjes ajrore ‘Iron Dome’ dhe personel ushtarak në Emiratet e Bashkuara Arabe, deklaroi të martën ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee. Burime të tjera konfirmuan se Emiratet i kanë marrë këto sisteme mbrojtëse.
Sipas një zyrtari amerikan, Netanyahu kishte udhëtuar edhe më parë në Emiratet e Bashkuara Arabe në vitin 2018 për t’u takuar me Mohammed bin Zayed, i njohur shpesh si ‘MBZ’.
Emiratet e Bashkuara Arabe ishin vendi i parë që iu bashkua Marrëveshjet Abraham në vitin 2020, marrëveshje të ndërmjetësuara nga SHBA që normalizuan marrëdhëniet diplomatike mes Izraelit dhe katër vendeve arabe.