Senati i Filipineve bllokohet pas të shtënave me armë zjarri
Ne Filipine, Senati u bllokua këtë të mërkurë pas të shtënave me armë, ndërsa forcat e armatosura u dukën duke hyrë në ndërtesë, ku senatori Ronald “Bato” Dela Rosa, i kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), kishte kërkuar strehim.
Zyrtarët thanë se janë dëgjuar të shtëna, por nuk ka pasur të lënduar. Senatori Dela Rosa ndodhet i sigurt dhe nën mbrojtjen e personelit të sigurisë, sipas deklaratave zyrtare.
Dela Rosa akuzohet nga ICC për vrasjen e dhjetëra personave gjatë periudhës kur ishte kreu i policisë në luftën kundër drogës të ish-presidentit Rodrigo Duterte, një fushatë gjatë së cilës u vranë mijëra të dyshuar për trafik droge. Duterte ndodhet në Hagë që nga marsi i vitit 2025.
Pamjet televizive treguan komandot policore të armatosura duke hyrë në ndërtesën e Senatit në Manila, të shoqëruara nga policë anti-tumultesh me mburoja dhe helmetë. Jashtë ndërtesës, protestuesit kërkonin arrestimin e Dela Rosas dhe dërgimin e tij për t’u gjykuar bashkë me Duterte. Avokatët e tij kanë apeluar në Gjykatën Supreme për të bllokuar ekstradimin e senatorit.
Sekretari i Brendshëm, Jonvic Remulla, sqaroi se qëllimi i forcave ishte mbrojtja e senatorit dhe jo arrestimi i tij. “Senatori Dela Rosa është i sigurt dhe nën mbrojtje”, tha ai, duke shtuar se presidenti kishte dhënë “udhëzime të rrepta” për sigurinë e senatorëve.
Ndërtesa e Senatit mbetet e mbyllur dhe senatorët janë strehuar brenda ndërtesës. Deri më tani, nuk ka asnjë person të arrestuar lidhur me të shtënat.
Senati aktualisht kontrollohet nga aleatët e Duterte, ndërsa Sara Duterte, vajza e ish-presidentit, është nënpresidentja e Filipinave. Marrëdhëniet mes familjes Duterte dhe presidentit aktual Bongbong Marcos janë tensionuar pas shkatërrimit të aleancës së tyre dy vjet më parë.
Dela Rosa dhe Duterte kanë refuzuar të pranojnë juridiksionin e ICC, duke argumentuar se Filipinet janë tërhequr nga Statuti i Romës në vitin 2019, por gjykatësit e ICC-së e refuzuan këtë argument, duke nxitur rrugën për fillimin e gjyqit kundër ish-presidentit.