Luis Suarez mbetet jashtë listës së Uruguait për Botërorin 2026
Legjenda e Uruguait, Luis Suárez, nuk do të jetë pjesë e listës paraprake për Kupën e Botës 2026. Sipas raportimeve nga gazetari Rodri Vazquez i “Sport 890”, sulmuesi 39-vjeçar nuk është përfshirë në listën me 55 lojtarë të përgatitur nga trajneri Marcelo Bielsa.
Ky vendim duket se u jep fund përfundimisht shpresave të Suarezit për të marrë pjesë në Botërorin e pestë të karrierës së tij, pas paraqitjeve në edicionet 2010, 2014, 2018 dhe 2022.
Sulmuesi i Inter Miamit kishte lënë të kuptohej ditët e fundit se ishte i gatshëm të rikthehej për të ndihmuar kombëtaren uruguaiane, duke deklaruar se nuk do ta refuzonte kurrë vendin e tij.
Megjithatë, marrëdhënia e tensionuar me Bielsa-n duket se ka ndikuar shumë në këtë vendim. Suarez u tërhoq nga kombëtarja në shtator të vitit 2024, ndërsa pak javë më vonë kritikoi ashpër trajnerin argjentinas, duke e akuzuar se kishte krijuar përçarje brenda dhomës së zhveshjes së Uruguait.
Edhe pse kohët e fundit kishte kërkuar falje për deklaratat e tij, Bielsa nuk ka ndryshuar qëndrim dhe ka vendosur të mos e rikthejë sulmuesin veteran.
Suarez mbetet golashënuesi më i mirë në historinë e Uruguait, me 69 gola në 143 ndeshje me fanellën e “La Celeste”. Përjashtimi i tij nga lista paraprake shihet si fundi i një epoke për një nga figurat më të mëdha të futbollit uruguaian dhe botëror.