Marrëveshja Rama-Meloni, Strazimiri: Po sakrifikohet integrimi në BE për përfitime të përkohshme

I ftuar në edicionin informativ të lajmeve me gazetarin Edvin Parruca,  deputeti i Partisë Demokratike, Gent Strazimiri, u shpreh se marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për ngritjen e kampeve të emigrantëve në Gjadër tregon qartë mungesën e vullnetit politik për të respektuar standardet europiane.

Sipas tij, Shqipëria po përdor pozicionin jashtë BE-së për të menaxhuar emigrantët, duke shmangur rregullat ligjore të Dublinit. Ky “afrikanizim” i politikës së emigracionit bie ndesh me objektivin e integrimit dhe, sapo vendi të bëhet anëtare e BE-së, marrëveshja Rama-Meloni do të bëhet automatikisht e pavlefshme.

'Kjo do të çonte dëm investime qindra milionëshe dhe tregon se përfitimet e përkohshme po vendosen mbi kushtet e anëtarësimit të plotë.'- u shpreh ai

Pjesë nga deklarata:

Po, siç e kujtuat edhe ju, po, në një intervistë së bashku e kemi cekur çështjen. Aty kam thënë që nuk po evropianizohemi, po afrikanizohemi. Në kuptimin e marrëveshjes Rama-Meloni për emigrantët. Në qoftë se do të ishim vend i Bashkimit Europian, nuk do të na lejohej përmes marrëveshjes së Dublinit, e ratifikuar nga të gjitha vendet anëtare, që të mund të depozitonim emigrantë të ardhur nga vende të tjera në Shqipëri. Sepse për të bërë një diçka të tillë, pikërisht për t'i shmangur kësaj marrëveshjeje së Dublinit, do të duhej një vend në të cilin të mund të zbatohej parimi i ekstrateritorialitetit. Shqipëria është një vend i mrekullueshëm, perfekt për të zbatuar këtë parim. Është afër Bashkimit Europian dhe nuk është territor i Bashkimit Europian, do të thotë nuk preket nga marrëveshja e Dublinit.

Pyetja që kemi bërë ne atëherë bashkë, pyetja që kemi ngritur është, po investohen dhjetëra miliona euro për të bërë një strukturë në Gjadër. Ishte i interesuar kryeministri i Anglisë për të njëjtën marrëveshje Rama-Meloni, ishte i interesuar kryeministri i Bavarisë për marrëveshjen Rama-Meloni. Janë disa shtete të tjera që kanë treguar interes për të ardhur për të depozituar problemet e tyre tek ne, për shkak se nuk jemi vend i Bashkimit Europian. Atëherë, që nga ky moment, në sekondën kur ne bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian, që do të thotë nuk ekziston më parimi i ekstrateritorialitetit në kuadrin e Bashkimit Europian për Shqipërinë, pra kthehemi në një territor evropian, futet në fuqi marrëveshja e Dublinit. Të gjitha këto struktura emigrantësh, përfshirë ajo e Gjadrit apo cilado tjetër, ne nuk e dimë se kujt i ka premtuar Edi Rama, do të duhej të çmontoheshin. Do të thotë qindra miliona euro të çuara dëm nga vendet investitore të Bashkimit Europian. Dhe e dyta, një problem i pazgjidhur i emigrantëve të tyre që do të duhej të riktheheshin sërish në vendin e origjinës, domethënë aty nga kishin ardhur.

Prandaj them, në rastin konkret nuk ka qenë gafë e ministrit të jashtëm; përkundrazi, ministri i jashtëm i Edi Ramës është treguar i sinqertë. Nga momenti që ne futemi në BE, marrëveshja Rama-Meloni nuk është më e aplikueshme; e ndalon marrëveshja e Dublinit. Marrëveshje të tilla janë të aplikueshme; ajo që ka thënë Edi Rama sot, i ka thënë 'sorelës'(Melonit), për sa kohë të ketë nevojë Italia, ne do t'i përgjigjemi. Do të thotë që ne nuk do të mund të jemi anëtarë të Bashkimit Europian. Nuk i intereson Italisë, fqinjës tonë të madhe, që ne të bëhemi anëtarë të Bashkimit Europian, sepse parimi i ekstrateritorialitetit nuk do të ekzistojë më. Ne vetë si shtet do të jemi të detyruar të ratifikojmë dhe t'i japim fuqinë ligjore që në momentin e anëtarësimit marrëveshjes së Dublinit.

Mendoj që kjo është e qartë. Autokratët e Ballkanit, Rama dhe Vuçiç, e kanë shprehur qartë bashkëpunimin; bashkautorësia në atë artikull për Frankfurter Allgemeine Zeitung e tregon qartë faktin që ata kërkojnë nga Bashkimi Europian benefitet, fondet, pasaportat e tjera me radhë, por thonë: ne marrim një anëtarësim me kufizimet e tyre, që të mos i përgjigjen garancive ligjore, kufizimeve që ka çdo qeveri demokratike në një vend demokratik dhe anëtar të Bashkimit Europian. Plotësojmë ca kritere të tjera, por jo kriteret politike. Nuk e duam anëtarësimin që të mund të jemi të vlerësuar me të njëjtat kritere që vlerësohet Friedrich Merz, apo Macron, apo kryeministri i Italisë, Portugalisë, apo i Spanjës. Jo. Ne jemi rast i veçantë. Na lejoni të sundojmë vendet tona dhe në këmbim nuk duam as të drejtë vote në tryezën e politikës së Bashkimit Europian. Ju na lini rehat të bëjmë vjedhjet tona, autokracinë tonë, diktaturën tonë, shpërdorimet tona dhe ne nuk ju përzihemi tek balancat e votave në tryezën e Bashkimit Europian.

Historia është e qartë; përgjigja ka qenë e kthjellët nga Bashkimi Europian, për fatin tonë të mirë: jo, anëtarësimi është paketë. O futesh, o s'futesh. O e meriton të futesh, o nuk e meriton të futesh. O i pranon kriteret dhe standardet e Bashkimit Europian, përfshirë ato demokratike, të zhvillimit ekonomik dhe të respektimit të ligjit në vendin tënd, ose nuk i pranon dhe në këtë rast nuk ke lidhje me Bashkimin Europian.

Mendoj që kakofonia që krijohet është një investim shumë i fortë i këtij rrugaçit që kemi për kryeministër. Po ta shikosh, përgjithësisht përdor dhe i paguan, por janë të gjithë comradet. Janë të gjithë shokët e Internacionales Socialiste që thonë: "Shiko, është basti i jetës së Shqipërisë, sepse Shqipëria e ka përmbushur kriteret, ka bërë këtë, ka bërë atë." Sa më shumë dalin skandale në pah, aq më shumë kritere na paskesh përmbushur Shqipëria. Është një nonsens. Besoj që e kupton çdo shqiptar; nuk ka nevojë të jesh njeri me shkollë, as të kesh ndjekur integrimin. Sa më keq bëhet dhe sa më shumë bie në renditjen e çdo standardi evropian Shqipëria, aq më shumë na paskesh përmbushur standardet.