Kroos kritikon Realin: Dy sezone pa trofe? E papranueshme!

Ish-mesfushori i Real Madridi-t, Toni Kroos, ka analizuar me tone të ashpra sezonin e “Los Blancos” pas humbjes 2-0 në ‘El Clasico’ ndaj Barcelonës. Gjatë ‘podcast’-it të zhvilluar me vëllanë e tij, legjenda gjermane deklaroi se situata aktuale te madrilenët është e papranueshme për standardet e klubit.

“Dy sezone pa fituar janë të papranueshme te Reali, pikë”, u shpreh Kroos, duke shtuar se problemet nuk lidhen vetëm me aspektin teknik apo taktik, por edhe me atmosferën brenda skuadrës.

Sipas ish-mesfushorit gjerman, ekipi dukej sikur e kishte pranuar humbjen që përpara nisjes së ndeshjes. “Ndoshta ishin të motivuar për të fituar ‘El Clasicon’, por kjo nuk mjaftoi. Ndeshja ishte e vendosur para se të fillonte. Mendoj se shumë prej lojtarëve, në mënyrë të pavetëdijshme, e kishin pranuar humbjen para fishkëllimës së parë”, deklaroi ai.

Kroos theksoi se Reali reagoi vetëm pjesërisht në pjesën e dytë, ndërsa komplimentoi Barcelonën për organizimin dhe lojën kolektive. Ai mori shembull golin e dytë të katalanasve për   të bërë diferencën mes dy skuadrave.

“Ky është imazhi perfekt i diferencës mes Barcelonës dhe Realit. Lojtarë si Dani Olmo dhe Ferran Torres ndoshta nuk do të ishin titullarë nëse të gjithë do të ishin në dispozicion, por ata kanë automatizma, lëvizje të studiuara dhe skema të provuara në stërvitje”, tha Kroos.

Në fund, ish-lojtari i Realit ndaloi edhe te talenti turk Arda Güler, për të cilin beson se mund të jetë një nga pikat kyçe të së ardhmes së klubit madrilen.

“Ai është një lojtar i së ardhmes. Ka cilësi të jashtëzakonshme në pasimin final dhe duhet të luajë pranë portës, si numër 10. Sa më afër sulmuesve të jetë, aq më i rrezikshëm bëhet. Nuk është një anësor i pastër, por mund të krijojë shumë edhe duke nisur më prapa”, përfundoi Kroos.