Nesho: Shqipëria është kthyer në autokraci elektorale, Rama nuk ka pasur kurrë vullnet real për integrimin në BE
Ish-ambasadori Agim Nesho ka akuzuar qeverinë e Edi Rama se ka larguar Shqipërinë nga standardet europiane dhe e ka shndërruar vendin në një ‘autokraci elektorale’ të lidhur me krimin e organizuar.
Në një intervistë për SYRI TV me moderatorin Arnold Kariqi, Nesho deklaroi se Bashkimi Europian ka bërë tolerime të pajustifikueshme ndaj realitetit politik në Shqipëri, duke besuar se reforma në drejtësi do të sillte ekuilibër demokratik dhe respektim të standardeve europiane. Sipas tij, Shqipëria nuk ishte dhe nuk është gati për integrim në BE për shkak të bashkëpunimit të pushtetit me krimin, trafikun e drogës dhe pastrimin e parave, ndërsa akuzoi Ramën se ka përdorur integrimin europian vetëm si propagandë politike.
Agim Nesho: Është një nga çështjet kryesore, por çështja që prek më shumë Bashkimin Europian, i cili deri në këto momente kishte bërë lëshime të pajustifikueshme, duke mos pasqyruar atë realitet të një autokracie që po zhvillohej në Shqipëri, duke besuar që proceset që do të sillnin, drejtësia e pavarur, vendimet e drejtësisë, do të arrinin të bënin ekuilibrin edhe plotësimin e atyre vlerave dhe standarteve të nevojshme që i duheshin Shqipërisë për t'u integruar në Bashkimin Europian. Pra, Shqipëria që në fillimin e erës, nuk ishte gati për t'u futur në Bashkimin Europian dhe jo kjo për mosdëshirën e popullit shqiptar, por pikërisht për papërgjegjësinë e këtij regjimi, që dua të them, në këtë çështje, ka një, mund ta quajmë një regjim kriminal, që prish të ardhmen e një populli të tërë, një e ardhme që nuk ka të bëjë vetëm me përkatësinë se do t'i bashkohemi një formacioni politik, siç është Bashkimi Europian, por edhe përkatësinë perëndimore që Shqipëria njëherë e mirë do të dilte nga atje ku historia gjithmonë e kishte margjinalizuar ose nuk i kishte dhënë hapësirë.
Pra, Shqipëria nuk ishte gati për t'u futur në Bashkimin Europian, sepse po të kishte një vullnet të tillë, Shqipëria nuk do të ishte një platformë e drogës, jo vetëm të kanabisit, që filloi si një iniciativë politike për të fituar dhe menaxhuar fonde, për klasën që ishte në pushtet, por edhe për, platformën që është kthyer Shqipëria tashmë në Europë si një platformë e futjes dhe shpërndarjes së drogave, të rënda. Nuk do të ishte Shqipëria, gati për t'u futur në Bashkimin Europian, në qoftë se kjo klasë, drejtuese e vendit, ky regjim, kjo qeveri nuk do të bashkëpunonte me krimin e organizuar, duke filluar që nga Sinaola, duke e kthyer Shqipërinë në një lavatriçe të pastrimit të parave, të Ndrangheta-s dhe të gjithë krimit të organizuar. Dhe kështu me radhë. Pra Shqipëria, po të kishte një vullnet politik që Rama tashmë vetëm propagandon dhe këto nuk janë vetëm propaganda e tij që shoqëron gjithë diskursin që do të futet në Bashkimin Europian, Shqipëria nuk ka realizuar asnjë kërkesë për të bërë të mundur përafrimin e saj me standartet e Bashkimit Europian. Ishte pikërisht një propagandë, një demagogji për të justifikuar qëllimin e Ramës që me Edi Ramën do shkonin në Bashkimin Europian.
Rama asnjëherë nuk ka qenë për t'u futur në Bashkimin Europian, për arsye sepse vetë veprimtaria e tij politike, kapja e shtetit shqiptar, mënyra se si ai ka bashkëpunuar me krimin e organizuar, dhe këtu bëjmë një parantezë, që shtypi ndërkombëtar ka kohë që po deklaron që nuk dihet në vendet e autokracive ballkanike kush drejton, mafia drejton pushtetin apo pushteti. Por mendoj për një moment që nga situata gjeopolitike, duke ardhur edhe duke ndryshuar rendi botëror, mund të kishte një nevojë Bashkimi Europian që të fuste, të integronte gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor me një shpejtësi pa respektuar kriteret dhe meritokracinë për të plotësuar standartet dhe për të vegjetuar brenda Bashkimit Europian në kushtet specifike politike që po kalonte Europa. Kjo ishte ajo që solli entuziazmin e Ramës, por veprimet, qeverisja që ka bërë Rama nuk përputhet me Bashkimin Europian, një vend i cili pranon parimet kryesore të tij të sanksionuara tashmë me kriteret e Kopenhagës, funksionimi i shtetit të drejtës, funksionimi i demokracisë, mbrojtja e të drejtave të njeriut. Rama është personi që e ka kthyer Shqipërinë në një autokraci elektorale. Rama është njeriu që ka bërë ç'është e mundur për të zbatuar skenare që nuk kanë të bëjnë me Bashkimin Europian, siç ka qenë Ballkani i Hapur, ose skenare sllavo-ruse për të bërë një rindarje të re gjeopolitike të rajonit të Ballkanit, kur me në qendër etninë e shteteve të pastra.