Armëpushimit me Iranin/ Izraeli intensifikon ofensivën në Gaza, 120 palestinezë të vrarë
Pesë javë pas ndalimit të bombardimeve të përbashkëta me SHBA-në ndaj Iranit, Izraeli ka shtuar ndjeshëm operacionet ushtarake në Rripin e Gazës, duke rikthyer fokusin kryesor në territorin palestinez të shkatërruar nga lufta.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, që nga 8 prilli – data kur u ndërpre përshkallëzimi me Iranin – janë vrarë të paktën 120 palestinezë, mes tyre tetë gra dhe 13 fëmijë. Ky bilanc paraqet një rritje prej rreth 20% krahasuar me pesë javët pararendëse.
Edhe monitoruesi ndërkombëtar i konflikteve ACLED konfirmon përshkallëzimin, duke raportuar se gjatë prillit sulmet izraelite në Gaza ishin 35% më të shumta se në mars.
Zhvillimet e fundit tregojnë një zbehje të shpresave për përparim në nismat diplomatike amerikane për ndalimin e luftës dhe nisjen e procesit të rindërtimit në Gaza.
Burime nga mbrojtja izraelite kanë bërë të ditur se ushtria ka paralajmëruar qeverinë e kryeministrit Benjamin Netanyahu për forcimin gradual të Hamasit, i cili sipas tyre po rikthen kontrollin në terren, po rindërton kapacitetet luftarake dhe po prodhon armë.
Një zyrtar ushtarak izraelit, që foli në kushte anonimiteti, deklaroi se situata aktuale i jep Izraelit mundësinë të reagojë ndaj kërcënimeve të menjëhershme, ndërsa ushtria po përgatit edhe plane më të gjera për një rikthim të plotë të luftimeve në Gaza, nëse kjo do të kërkohet nga udhëheqja politike.