Iker Casillas del kundër Mourinhos: Nuk e dua te Reali, ka trajnerë më të kualifikuar

José Mourinho dhe Real Madridi mund të ribashkohen edhe një herë.

“Los Blancos” janë në kërkim të një trajneri, pasi eksperimentet me Xabi Alonson dhe Arbeloan nuk dhanë rezultatet që shpresoheshin.

Dhe portugezi është përfolur për rikthimin në stolin e Realit, ku shumë e duan, duke nisur nga presidenti Florentino Perez.

Në fakt, jo të gjithë, siç dëshmon një postim i Iker Casillas, një nga legjendat e klubit spanjoll.

Ai edhe më parë nuk e ka fshehur faktin se nuk e pëlqen Mourinhon.

“Nuk kam asnjë problem me Mourinhon. Më duket një profesionist. Nuk e dua te Real Madridi. Besoj se trajnerë të tjerë do të ishin më të kualifikuar për të drejtuar ekipin e jetës sime. Opinion personal, asgjë më shumë”, ka shkruar Casillas në rrjetet sociale, duke iu referuar rikthimit të mundshëm të trajnerit portugez.

Në të kaluarën ish-portieri ka zbuluar se ka pasur një raport jo të mirë me trajnerin që sot drejton Benfikën.

“Me kohën gjithçka ndryshon, ka qenë një raport dashurie dhe urrejtjeje. E kujtoj si një ish të fejuar kur isha 20 vjeç. Sot e shoh ndryshe.

Pavarësisht konflikteve, ajo me Mourinhon ka qenë një periudhë e bukur. Por Real Madridi është para gjithçkaje. Ajo që duhej të kisha bërë ishte që duhet të shkoja të flisja në zyrën e tij. Jam penduar, por kam evituar faktin që të bëja më shumë skena se ato që ishin”, ka treguar Casillas pak muaj më parë.