Çoi në spital shënjestrën e Lart Haxhiut, dëshmon i riu nga Lushnja: Vetëm rënkonte nga plagët...
Raido Kajdo, një nga dëshmitarët në procesin ndaj grupit të Laert Haxhiut, ka dhënë dëshmi këtë të mërkurë në GJKKO për atentatin ndaj Kujtim Metës në Lushnjë.
“Kam qenë duke pirë kafe në një lokal kur është qëlluar me armë Kujtim Meta, e njihja. Lokali ndodhej pranë stacionit të trenit. Kujtoj momentin që kam qenë me vëllain duke pirë kafe me vëllain, po qëndroja në telefon dhe dëgjova zhurmën, u ngritëm dhe u larguam. Kujtim Meta ka qenë ulur dy tavolina më tutje. Pashë një person me kapuç dhe maskë, kur ngrita kokën pashë pronarin e lokalit që iku me vrap. Zhurmë si kapsoll. Kam ikur me vrap, vetëm një të kërcitur dëgjova, vëllai ndejti aty unë ika me vrap. U ktheva te lokali për vëllain. Gjeta vëllain dhe pastaj kërkuam ndihmë për të dëmtuarin. I zoti i lokalit dhe dy persona të tjerë që punonin aty, e ndihmonin, e çuam me makinën time në spital. Vetëm rënkonte, Juxhini vëllai im, dhe i zoti i lokalit ndodheshim në makinë. Nuk kam dëgjuar asgjë vetëm se rënkimet e të dëmtuarit. Kam kaluar tronditje dhe trauma nga kjo ngjarje. Marjus Tafanin se njoh e kam parë në lajme”, ka dëshmuar Kajdo para gjykatës.
Gazetari i SYRI TV, Fatjon Gjinaj, raporton se i penduari Artan Tafani, në procesin ndaj grupit të Laert Haxhiut ka deklaruar se si u tentua ekzekutimi i Kujtim Metës në Lushnjë, në muajin prill të vitit 2022. Shkak sipas tij, ishte inati që Laert Haxhiu kishte se pse Meta mbështeste Aldo Baren.
Madje Haxhiu sipas tij u bë nervoz kur një nga grupi, Dorjan Shurdhi, u tërhoq pasi kishte frikë mos e kapnin kamerat. Pasi e shahu, Laerti sipas tij urdhëroi atë. Tafani shpjegoi se e qëlloi me 8 plumba Metën teksa pinte kafe në lokal, por nuk arriti ta vriste dot, edhe pse mori dy plumba në bark, pasi u përpoq menjëherë të largohej.