Italia s’u kualifikua, Bonuçi bën tifo për Argjentinën: Emocionuese të shohim Botërorin e fundit të Mesit
Ish-mbrojtësi i Juventusit dhe Milanit, Leonardo Bonuçi, i pranishëm në Romë për finalen e Kupës së Italisë mes Interit dhe Lazios, dha një intervistë për “Sport Mediaset”.
Duke komentuar finalen, Bonuçi theksoi se në një sfidë të tillë gjithçka mund të ndodhë.
“Në një finale, shanset janë më të larta për të dyja skuadrat sepse çdo gjë mund të vendoset brenda 90 minutave. Lazio do të duhet të jetë shumë e kujdesshme në mbrojtje, sepse Interi të lë shumë pak hapësira në kundërsulm”, deklaroi ish-qendërmbrojtësi italian.
Bonuçi u ndal edhe te gara e fortë për një vend në Ligën e Kampioneve, duke vlerësuar se aktualisht skuadra më e rrezikuar është Milani.
“Është fantastike që ende ka kaq shumë gjëra në lojë në javët e fundit të kampionatit. Deri tani, duke parë rezultatet dhe ndeshjet, Milani duket skuadra më në rrezik. Aspekti psikologjik është elementi më i rëndësishëm dhe kundër Atalantës kjo mungoi”, u shpreh ai.
Megjithatë, Bonuçi shtoi se kalendari i kuqezinjve është më i favorshëm krahasuar me rivalët direkt në garën për zonën Champions.
Në fund, ish-mbrojtësi italian foli edhe për Kupën e Botës, duke zbuluar se do të mbështesë Argjentinën për shkak të Lionel Messi.
“Do të bëj tifo për Argjentinën, sepse do të jetë emocionuese të shohim Botërorin e fundit të Mesit”, përfundoi Bonuçi.