Betisi rikthehet në Champions League pas 21 vitesh, festë e madhe në Sevilje

Real Betis ka siguruar zyrtarisht rikthimin në UEFA Champions League pas plot 21 vitesh mungesë, duke ndezur festën në Sevilje.

Skuadra andaluziane triumfoi 2-1 ndaj Elche në një ndeshje vendimtare për objektivin evropian. Golat e fitores për Betisin u realizuan nga Cucho Hernández dhe Pablo Fornals.

Ky sukses, i kombinuar edhe me humbjen e Celta Vigo ndaj Levante, i ka dhënë Betisit një avantazh prej tetë pikësh ndaj rivalëve, dy javë para fundit të kampionatit, duke vulosur përfundimisht vendin e pestë në La Liga.

Për tifozët e Betisit bëhet fjalë për një moment historik, pasi klubi rikthehet në elitën e futbollit evropian për herë të parë që nga sezoni 2005/06.

Nga ana tjetër, humbja është një goditje e rëndë për Elchen, që vazhdon të luftojë për mbijetesën në një fund sezoni dramatik. Gara për të shmangur rënien nga kategoria është bërë tepër e ashpër, me shtatë skuadra të ndara nga vetëm tri pikë.