Infantino zbulon si ndikoi që gratë iraniane të riktheheshin në stadiume
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka zbuluar në një libër të ri detaje interesante mbi rolin që pati në rikthimin e grave iraniane në stadiumet e futbollit pas dekadash ndalim.
Rrëfimi gjendet në librin “Forward, Revolucioni në Futboll”, i shkruar nga gazetari italian, Alessandro Alciato, me rastin e 10-vjetorit të mandatit të Infantinos në krye të FIFA-s.
Sipas librit, Infantino kishte vendosur një kusht për vizitën e tij në Iran në mars të vitit 2018: të takohej me presidentin e atëhershëm iranian Hassan Rouhani.
Negociatorët iranianë e kishin këshilluar të mos e ngrinte temën e pranisë së grave në stadiume, por presidenti i FIFA-s vendosi të thyente protokollin në fund të takimit dhe i kërkoi drejtpërdrejt Rouhanit që të shqyrtonte mundësinë e lejimit të grave në ndeshjet e futbollit.
Infantino argumentoi se ndryshimet kulturore kërkojnë kohë, duke sjellë si shembull edhe Zvicrën, ku gratë fituan të drejtën e votës vetëm në vitin 1991.
Disa muaj më vonë, presidenti i FIFA-s u rikthye në Teheran për finalen e Ligës së Kampionëve Aziatikë. Kur organizatorët i thanë se në stadium do të lejoheshin vetëm 10 gra, ai kërkoi që numri të rritej në 1.000. Në fund, në tribunë ishin të pranishme rreth 1.500 gra.
Ngjarja u injorua fillimisht nga mediet iraniane, por Infantino vendosi të publikojë vetë fotografi me gratë në stadium, duke e bërë momentin simbolik në mbarë botën.
Kjo finale e Ligës së Kampionëve Aziatikë shënoi rikthimin e grave në stadiumet iraniane pas 38 vitesh ndalim për të ndjekur futboll ‘live’.
Një tjetër moment i rëndësishëm ishte edhe ndeshja Iran-Portugali në Kupën e Botës 2018, kur autoritetet iraniane lejuan gratë të hynin në stadiumin ‘Azadi' për të ndjekur transmetimin televiziv të sfidës, duke shënuar një kthesë historike në vend.