Levante triumfon ndaj Celta Vigos, gara për mbijetesë në LaLiga ‘merr zjarr'

Levante ka marrë një fitore tepër të rëndësishme në garën për mbijetesë, duke mposhtur në transfertë Celta Vigon me rezultatin 3-2 në një ndeshje spektakolare dhe plot emocione.

Takimi nisi në mënyrë perfekte për vendasit, që kaluan në avantazh që në minutën e 4-t me anë të Ferran Jutglà-s. Sulmuesi finalizoi një aksion të bukur dhe i dha epërsinë Celta Vigos.

Megjithatë, Levante reagoi mirë dhe arriti të barazonte në fundin e pjesës së parë, kur Arriaga realizoi për 1-1 në minutën e 43-të.

Në nisje të pjesës së dytë, Celta riktheu sërish avantazhin. Ishte përsëri Jutglà ai që gjeti rrjetën në minutën e 48-të, duke kompletuar dopietën personale.

Ndeshja mbeti e hapur dhe skuadra valenciane reagoi edhe një herë. Në minutën e 57-të, Dela shënoi golin e barazimit 2-2, ndërsa vetëm gjashtë minuta më vonë Brugue realizoi golin vendimtar për 3-2.

Me këtë sukses, Levante largohet përkohësisht nga vendi i parafundit dhe e bën edhe më dramatike garën për mbijetesë në La Liga.

Situata në fundin e tabelës është bërë jashtëzakonisht e ngjeshur, pasi tashmë shtatë skuadra, nga vendi i 13-të tek i parafundit, ndahen nga vetëm tri pikë.