Walter Mazzarri rikthehet në stol, emërohet trajner i skuadrës së Selanikut

Trajneri italian, Walter Mazzarri, ka nisur një aventurë të re në karrierën e tij, pasi është zyrtarizuar si trajner i Iraklis Selanikut.

Klubi grek ka njoftuar se tekniku italian ka firmosur një kontratë njëvjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër. Për Mazzarrin bëhet fjalë për rikthimin në pankinë pas afro dy vitesh larg futbollit.

Zyrtarizimi erdhi pas vizitës së trajnerit në Greqi dhe firmës së marrëveshjes, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë pritjeje, gjatë së cilës ai kishte pasur kontakte me disa klube të huaja pa arritur marrëveshje.

Sipas klubit, Mazzarri do të drejtojë ekipin në elitën e futbollit grek, pasi Iraklis siguroi ngjitjen sezonin e kaluar duke fituar playoff-in e Super League 2.

Në komunikatën zyrtare, klubi grek mirëpriti me entuziazëm trajnerin italian:

“Jemi të lumtur të njoftojmë fillimin e bashkëpunimit me trajnerin e njohur italian Walter Mazzarri. E mirëpresim në familjen tonë të madhe.”

Për Mazzarrin kjo është një tjetër sfidë ndërkombëtare në një karrierë të gjatë, ku ai ka drejtuar skuadra të rëndësishme si Napoli, Interi, Torino, Sampdoria, Cagliari dhe Watford në Premier League.

Eksperienca e fundit e tij ishte pikërisht te Napoli, ku u rikthye për të zëvendësuar Rudi Garcian, por aventura e tij aty përfundoi pas vetëm 17 ndeshjesh.

Tashmë tekniku italian hap një kapitull të ri në futbollin grek, me synimin për të konsoliduar projektin e Iraklisit në elitë.